Lajme

Naser Pajazitaj u lirua por, kush e vrau Donjeta Pajazitajn?


Foto nga Albanian Post, Donjeta Pajazitaj

Naser Pajazitaj, dikur i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, është shpallur i pafajshëm dhe liruar nga burgu me vendim të Gjykatës Supreme, por kjo nuk nënkupton që Prokuroria nuk do t’i vazhdojë hetimet për gjetjen e vrasësit të vërtetë.

Një nga rastet më makabër të ndodhura paslufte kur një vajzë e re u gjet e vdekur në mal në vitin 2015 pas më shumë se 1 muaj që rezultonte e zhdukur, assesi të marrë fund.

Supremja rrëzoi vendimin për dënimin e Pajazitajt dhe tash Prokuroria do të duhet të fillojë gjithçka nga zeroja, për të hetuar pista të tjera dyshimi, deri në gjetjen eventuale të përgjegjësit për vrasjen e saj.

Çka tha Gjykata Supreme – aktvendimi

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për të liruar Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga kryetarja, Valdete Daka, dhe anëtarët Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi, vendosi që të dënuarin Naser Pajazitaj ta lirojë nga vuajtja e dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë.

Në këtë aktvendim të Gjykatës Supreme thuhet se “ndaj të dënuarit Naser Pajazitaj, ndërpritet menjëherë vuajtja e dënimit me burgim, shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore të Ferizajt – Departamenti për krime të Rënda”.

Aktgjykimi me arsyetimin e detajuar lidhur me këtë rast është duke u përpiluar dhe “brenda afatit ligjor bëhet publik”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka Lutfiu.

“Në mënyrë që të mos krijohet konfuzion te publiku laik në procedura gjyqësore, se ka që mund të mendojnë se ky është vendimi i vetëm”, ka shpjeguar ajo.

Afati për përpilim të aktgjykimit në detaje është 30 ditë, nga data e marrjes së vendimit, me mundësi kërkese për zgjatje të afatit edhe për 60 ditë të tjera.

Valdete Daka, kryetare e trupit gjykues, ka thënë për Albanian Post se nuk do që të flas për këtë rast, por duhet të pritet që detajet rreth vendimit të shihen në aktgjykimin i cili pritet të publikohet shpejt.

“Nuk i komentoj vendimet e Gjykatës. Aktgjykimi ende nuk ka dalë, kur të dalë aktgjykimi, i shihni të gjitha, nuk mund të komentoj asgjë”, ka thënë Daka.

“E merrni aktgjykimin edhe mandej në bazë të tij e dini krejt çka ka gjetur Gjykata Supreme dhe pse ka vendos ashtu. Është arsyetimi aty. Tani nuk mund të jap asnjë koment”, ka thënë më tej Daka për AP.

Ndërsa në arsyetimin e aktvendimit të publikuar nga kjo Gjykatë tashmë, thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të dënuar Naser Pajazitaj, paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të rënda, me të cilin i dënuari është gjykuar për veprën penale vrasje e rëndë dhe dy veprave të tjera penale, mbajtja në pronësi, kontrolli ose posedim të paautorizuar të armëve.

“Gjykata Supreme e Kosovës, respektivisht kolegji penal, duke e shqyrtuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në seancën e kolegjit ka marrë vendim meritor me ç ‘rast aktgjykimi i formës së prerë është ndryshuar. Ashtu që i dënuari është liruar nga akuza për veprën penale vrasje e rëndë, i cili vendim do të pasoj me shkrim në ndërkohë”.

“Meqë në këtë çështje është marrë aktgjykim lirues, kjo gjykatë komfor nenit 435 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi që të ndërpritet ekzekutimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë, respektivisht që ndaj të dënuarit të ndërpritet vuajtja e dënimit me burgim”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Meqë Naser Pajazitaj u lirua nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, kush e vrau atë?

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila hodhi poshtë të gjitha vendimet e mëparshme të gjykatave paraprake, tani i mbetet Prokurorisë Themelore të Pejës të rinis këtë proces nga zeroja, për të gjetur vrasësin e vërtetë të Donjeta Pajazitajt.

“Ne japim verdiktin tonë lidhur me të gjeturat që i kemi konstatuar në shkresa të lëndës, ndërsa prokuroria e ka punën e vet. Në momentin që ky është liruar, prokuroria i ka duart e lira të hetojë të gjithë, për të cilët konsideron se ka një pistë hetimi”, ka thënë Valdete Daka.

Prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, e cila u morr me rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt që nga fillimi, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se tani nuk di se çka të thotë për hapat që do të ndërmarrin, pasi që po presin të shohin aktvendimin e Gjykatës Supreme.

“Për momentin ende nuk e kemi marrë vendimin e Gjykatës Supreme. Ta marrim njëherë, ta analizojmë vendimin e pastaj pala e dëmtuar ka të drejtë që ta dërgojë çështjen edhe në Gjykatë Kushtetuese. E sa i përket veprimeve të tjera, për momentin nuk mund të deklarohem se çka do të ndërmarrim”, ka thënë prokurorja Dishaj-Haxhosaj.

Sipas prokurores së rastit, “nuk ka nevojë askush me na tregu se çfarë veprimesh të ndërmarrim”, por ajo insiston që detajet tjera lidhur me këtë rast dhe hapat që më tej do të ndërmerren, do të dihen pasi të kenë analizuar aktvendimin e Supremes.

“Në këtë fazë nuk mund të jap më shumë sqarime, nuk e kemi pranuar atë vendim, nuk e dimë se në çka është thirrur dhe për veprimet tjera do të veprojmë komfor ligjit”, ka thënë prokurorja Dishaj-Haxhosaj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore