Lajme

Austria dëbon 4 diplomatë rusë me bazë në Vjenë


Qeveria austriake tha të enjten se ka urdhëruar katër diplomatë me bazë në Vjenë, përfshirë dy në misionin e Moskës në agjencitë e OKB-së në qytet, të largohen nga vendi.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press”.

Ministria e Jashtme tha në një deklaratë të shkurtër se dy diplomatë në Ambasadën Ruse ishin “angazhuar në akte të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik” dhe dy në misionin e përhershëm në Kombet e Bashkuara në Vjenë “kanë kryer akte të papajtueshme me Marrëveshjen e Selisë”.

Diplomatëve iu dha një javë kohë të largoheshin nga Austria.

Vendet e Evropës Perëndimore dhe Rusia kanë dëbuar diplomatët e njëri-tjetrit në disa raste që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska gati një vit më parë.

Austria, një anëtare e Bashkimit Evropian që ka një politikë të neutralitetit ushtarak, i ka dhënë ndihmë Ukrainës, por jo pajisje ushtarake.

Presidenti Alexander Van der Bellen ishte në Kiev të mërkurën në një udhëtim që synonte të nënvizonte solidaritetin e Austrisë.

Vjena është shtëpia e agjencive të KB, duke përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe Zyrën e OKB-së për Drogën dhe Krimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore