Përballje

Atalanta mposht Young Boys, Zenit deklason Malmo-n


Atalanta ka mposhtur zviceranët e Young Boys me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e dytë të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Bergamaskët kontrolluan dhe dominuan në përgjithësi lojën, madje shënuan në pjesën e parë, por goli u anulua nga sistemi VAR, për shkak të pozicionit jashtë loje.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, teksa në të dytën Atalanta realizoi golin e epërsisë në minutën e 68-të, me anë të Matteo Pessina, i cili u asistua nga sulmuesi Duvan Zapata.

Italianët patën edhe disa raste të mira për të dyfishuar rezultatin, por nuk arritën t’i konkretizojnë rastet.

Me këtë fitore, Atalanta merr vendin e parë të Grupit F me katër pikë, ndërsa Young Boys mbetet e dyta me tri, kurse ndeshja ndeshja tjetër e këtij grupi do të zhvillohet nga ora 21:00 mes Manchester United dhe Villareal.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në ora 18:45, Zeniti i Shën Petërsburgut mposhti suedezët e Malmo-s me rezultat të thellë 4:0.

Braziliani Claudinho kaloi rusët në epërsi qysh në minutën e nëntë, derisa gola në pjesën e parë nuk pati më.

Katër minuta pasi filloi pjesa e dytë, Kuzyayev dyfishoi shifrat për Zenit-in, derisa pak momente më vonë gjërat për ta u bënë më të lehta, kur futbollisti i Malmo-s, Ahmedhodzic, u ndëshkua me karton të kuq.

Rusët më tej realizuan edhe dy gola në 10 minutat e takimit me anë të Sutormin në minutën e 80-të dhe dhe Wendel në minutën e katërt shtesë, për rezultatin përfundimtar 4:0.

Me këtë fitore Zenit merr vendin e tretë në Grupin H me tre pikë, aq sa ka edhe Juventus i vendit të dytë, ndërsa Malmo nuk ka fituar ende asnjë pikë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, do të jetë ajo mes Juventus dhe Chelsea, që do të zhvillohet në ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore