Euro 2024

Asllani ‘qan’ rastin e Manajt, Sylvinho kërkon fokus, Bajrami me sytë nga Kroacia


Një humbje e hidhur ishte ajo e Shqipërisë ndaj Italisë në hapjen e fushatës së Euro 2024 për kuqezinjtë, ku gjithçka u vendos në vetëm 16 minuta lojë, me palën shqiptare që filloi furishëm me një gol të Nedim Bajramit, vetëm 23 sekonda pas vërshëllimës fillestare.

Mirëpo ai nuk mjaftoi, pasi italianët në dhjetë minuta gjetën ritmin e tyre dhe me një lojë të rrjedhshme, shënuan fillimisht me Alessandro Bastonin e më pas me Nicolo Barrella-n, në minutën e 11 dhe 16, për t’i mbyllur aty gjithë hesapet.

Shqipëria vendos rekord në Euro, por bie përballë Italisë

Një rast i Rey Manajt në fund, mund ta shpëtonte përpjekjen kuqezi dhe t’i jepte barazimin e artë Kombëtares, por nuk ndodhi.

Pikërisht këtë rast e “qau” në deklaratën pas ndeshjes edhe Kristjan Asllani, i cili dha pasimin përcaktues për Manajn, por që nuk u finalizua.

“Patëm atë rasti ne fundit që nuk barazuam dot. Gjetëm golin shpejt, pastaj u ulëm shumë pas dhe Italia ka një mbajtje topi të mirë, ata janë kampionët. Ne vrapuam shumë, por luajtëm deri në fund. Erdhi ai rasti i fundit dhe e devijoi Donnarumma, sikur të shënonim. Vazhdojmë, por më vjen keq për tifozët që kanë bërë këtë gjë të madhe si brenda si jashtë stadiumit”.

Ishin këto përshtypjet fillestare të Asllanit, i cili më pas shpjegoi se Italia sulmon me shumë lojtarë përpara dhe kjo i bën të fortë. E pranon se kundërshtarët në fund të fundit, e kishin hegjemoninë dhe bënë që dy mesfushorët shqiptarë, të endeshin më kot në fushë dhe të lodheshin në pjesën më të madhe të ndeshjesh.

Më keq, i vjen për tifozët: Më vjen keq për tifozët që nuk i dhamë një rezultat pozitiv por ky është futbolli. I falënderoj me zemër, ishim mbi 50 mijë veta sot. Faleminderit, shpresoj të bëjmë më tepër në ndeshjet e tjera.

Sylvinho ndërkaq, tekniku kuqezi, ka kërkuar fokus nga ekipi, me dy ndeshje të tjera të mbetura në sirtarin e Euro 2024.

Ai u shpreh i zhgënjyer për rezultatin, por i kënaqur për paraqitjen e Kombëtares.

“Nuk bëmë mirë 25 minutat e para, ishin të vështira për ne. Deri në moment të fundit ishim aty në lojë për barazimin”, theksoi.

Pavarësisht kësaj, ai mendon se mund t’i ndodhë kjo çdo ekipi që luan në nivele të tilla dhe me një ngarkesë të tillë emocionale.

Nuk hezitoi të falënderonte edhe tifozerinë e jashtëzakonshme shqiptare.

“Fillimisht dua të falënderoj të gjithë shqiptarët që ishin këtu, kishte shumë. Nuk do të harrojmë që kemi bërë rrugëtim fantastik me sakrifica për të arritur këtu. Punojmë 12 orë në ditë për të gjithë, për të fituar. Sigurisht i kam thënë futbollistëve të shijojnë në maksimum për të luajtur në finalet e një Evropiani”.

Bajrami nga ana tjetër, një rekordmen i ri në borderonë e Euro-ve, pasi shënoi golin më të shpejtë në histori, vetëm 23 sekonda pas fillimit të takimit, sytë i ka vetëm për nga Kroacia.

Në përfundim të ndeshjes, ai tha: E kemi ditur të gjithë që Italia është shumë e fortë. Kemi bërë të gjithë maksimumin, do të luftojmë për çdo pikë dhe për çdo top. Për ne është arritje e madhe që luajmë në Evropian, do të vazhdojmë kështu. Kemi disa ditë kohë për të përgatitur ndeshjen me Kroacinë, duhet të korrigjojmë ato që nuk bëmë mirë.

“Asllani i dha një top shumë të mirë, Manaj pati një shans shumë të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të kërkojmë golin”, përmbylli Bajrami.

Takimi i radhës i Kombëtares do të zhvillohet të mërkurën e 19 qershorit në orën 15:00, kundër Kroacisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore