Euro 2024

Gjermania fiton grupin A dhe Zvicra del e dyta, Hungaria bën mrekullinë ndaj Skocisë


Gjermania ka arritur të rrëmbejë në frymën e fundit kundër Zvicrës kreun e grupit A, ku një gol i Niclas Fullkrug e çoi në baraspeshë ndeshjen që u udhëhoq nga helvetët në shumicën e kohës.

Lojën e kanë dominuar gjermanët, por helvetët me cinizëm arritën që një rast të vetëm drejt portës së panzerave, ta kthenin në gol në pjesën e parë.

Fillimisht, ishte Gjermania, ajo e cila realizoi një gol të bukur me një gjuajtje të Andrich nga jashtë zonës. Megjithatë, pas një rishikimi të rastit, gjyqtari Orsati vuri re se përpara goditjes nga Andrich kishte pasur një faull në zonë nga Jamas Musiala. Kështu, duke e anuluar avantazhin gjerman dhe duke e kthyer ndeshjen në pikën zero.

Zvicra nuk u nda nga mendësia e saj e lojës pritëse dhe në çastin e duhur arriti të godiste me një gjuajtje të Ndoye.

Gjermanët megjithatë nuk ndaluan së sulmuari dhe e bënë këtë gjatë gjithë pjesës së dytë, duke shfrytëzuar edhe gjithë zëvendësimet e mundshme.

Zvicra në fakt arriti të realizojë një tjetër gol me Vargas, por ai u pikas në pozitë jashtë loje dhe goli u anulua.

Me përpjekje të vazhdueshme deri në fund, vetëm në minutën e dytë shtesë, pas një krosimi nga Raum, Fullkrug gjeti rrugën e rrjetës dhe shpëtoi kështu fushatën e grupeve për gjermanët, duke i dhënë vendin e parë atyre dhe duke i lënë zviceranët në vendin e dytë.

Nga ana tjetër, Hungaria ka bërë mrekullinë përballë Skocisë, ku në minutën e 100-ë të ndeshjesh kanë gjetur golin e vetëm dhe kanë arritur të marrin vendin e tretë në grup me tre pikë dhe duke e lënë Skocinë në vendin e fundit me një pikë.

Ekipi skocez ka pasur hegjemoninë gjatë pjesës së parë sa i takon kontrollit të topit, por vetëm kaq.

Skocezët nuk kanë qenë konkretë në rastet e krijuara dhe nuk e kanë rrezikuar në asnjë çast Hungarinë.

Këta të fundit, edhe pse pa kontroll të madh topi, kanë pasur raste më konkrete, të cilat nuk i kanë shfrytëzuar në pjesën e parë.

Pjesa e dytë një fotokopje e vërtetë, ku loja edhe u ndalua për disa minuta, për shkak të një dëmtimi të frikshëm të Varga. Kjo gjë bëri që të kishte 10 minuta shtesë.

Skocia në një përpjekje të fundit u hodh përpara e gjitha, por kjo gjë i lejoi hungarezët të kapnin mbrojtjen skoceze në kundërkohë dhe të shënonin me Csoboth.

Renditja përfundimtare e grupit A: Gjermania 7 pikë, Zvicra 5 pikë, Hungaria 3 pikë, Skocia 1 pikë.

Gjermania dhe Zvicra avancojnë automatikisht në fazën tjetër.

Hungaria pret rezultatet nga vendet e treta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore