Euro 2024

Zvicra përkohësisht merr kreun e grupit A, Skoci-Hungari në baraspeshë


Zvicra është 45 minuta larg të qenit fituesja e grupit A, pasi po mposht Gjermaninë favorite me shifrat 1 me 0.

Lojën e kanë dominuar gjermanët, por helvetët me cinizëm arritën që një rast të vetëm drejt portës së panzerave, ta kthenin në gol.

Fillimisht, ishte Gjermania, ajo e cila realizoi një gol të bukur me një gjuajtje të Andrich nga jashtë zonës. Megjithatë, pas një rishikimi të rastit, gjyqtari Orsati vuri re se përpara goditjes nga Andrich kishte pasur një faull në zonë nga Jamas Musiala. Kështu, duke e anuluar avantazhin gjerman dhe duke e kthyer ndeshjen në pikën zero.

Zvicra nuk u nda nga mendësia e saj e lojës pritëse dhe në çastin e duhur arriti të godiste me një gjuajtje të Ndoye.

Paralelisht, gjithçka është në baraspeshë në sfidën mes Skocisë dhe Hungarisë.

Ekipi skocez ka pasur hegjemoninë gjatë pjesës së parë sa i takon kontrollit të topit, por vetëm kaq.

Skocezët nuk kanë qenë konkretë në rastet e krijuara dhe nuk e kanë rrezikuar në asnjë çast Hungarinë.

Këta të fundit, edhe pse pa kontroll të madh topi, kanë pasur raste më konkrete, të cilat nuk i kanë shfrytëzuar.

Ky rezultat ndërkaq vjen si një “dhuratë” për Shqipërinë nëse ruhet i tillë, pasi në rast të radhitjes së kuqezinjve në vend të tretë, ata do të kishin një golavarazh më të mirë se skocezët dhe do të ishin më të favorizuar për kualifikim.

Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë në pjesën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore