Lajme

Asistenti i ministres së Drejtësisë, ultimatum KFOR-it: Ose ndërhyni, ose ndërhyjmë


Luan Hoti

Asistenti personal i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Luan Hoti i ka jepur ultimatum misionit të NATO-s në Kosovë që të ndërhyjnë në Veri të Kosovës.

Në të kundërtën, sipas tij Kosova duhet t’i dërgojë trupat e FSK-së që ta mbrojnë vendin.

“Nëse KFOR-i brenda 24 ore nuk zotohet që do te na mbroj territorin e Republikës së Kosovës, atëherë Kosova ka obligim te dërgoj trupat e FSK-se për ta mbrojtur territorin. Gjithashtu, policia duhet te vazhdojë të jetë prezentë dhe operative deri kur te gjithë kriminelet te dalin para drejtësisë”, ka shkruar ai.

Shkrimi i asistentit personal të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Luan Hoti.

Situata në Veri është tensionuar që nga 26 maji atëherë kur kryetarët e komunave në Veri kanë nisur punën në objektet komunale me mbrojtje të Policisë së Kosovës.

Ndërsa, të mërkurën tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë. Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore