Kosova

Asamblisti i LVV-së, Faruk Mujka, zgjidhet kryeshef i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc-i”


Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujka, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”.

“Gjërat e këqija të përjetuara gjatë rrugëtimit hedhen pas shpine. Tani, koha për udhëtim të ri.Nga, nesër filloj detyrën e re, Kryeshef Ekzekutiv në NHE “Ibër – Lepenc”, ndërmarrje tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mujka.

“Çdo udhëtim ka fillimin, itinerarin dhe fundin e tij. Nga secili udhëtim kam fituar njohuri, eksperienca dhe miq të ri”.

Ai ka theksuar se pozita e re është vend ideal për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve.

Mujka në vitin 2013 ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa në vitin 2016 ishte zgjedhur nënkryetar i Mitrovicës.

Kurti i fton qytetarët të aplikojnë në konkurset publike: Do të ndjekim të njëjtin standard për të gjithë

Përmes një videomesazhi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u patën bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë në konkurset për borde publike.

Kurti kishte theksuar se do të ndjekin po të njëjtin standard për të gjithë, në çdo konkurs që është i hapur apo do të hapet në të ardhmen.

“Ndërmarrjet publike duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset, si dhe të kontribuojnë në buxhetin e Republikës. Prandaj duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal, e të cilët kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes”, ka thënë Kurti.

Edhe sa ishte në opozitë Kurti pati deklaruar se do të depolitizohen bordet dhe nuk do të ketë më në borde njerëz me libreza të partive.

“Ne do t i departizojmë dhe depolitizojmë bordet, nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive ose me mbiemra të përveçëm që janë përzgjedhë”, ishte shprehur Kurti 2 ditë para zgjedhjeve të 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore