Sport

Arsenal-i ofron 60 milionë euro për sulmuesin që po shkëlqen në Serie A


Skuadra e Arsenal-it është duke kërkuar për një sulmues të ri për edicionin e ardhshëm, ku së fundi kanë shënjestruar futbollistin e Romës, Tammy Abraham.

Sulmuesi anglez ka shkëlqyer në këtë edicion me ekipin nga kryeqyteti italian, i cili ka shënuar 24 gola dhe ka dhuruar pesë asistime në 46 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Romës.

Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit londinez ta shtojnë vëmendjen kah sulmuesi 24 vjeçar, i cili vetëm një sezon më parë braktisi Premier Ligën për t’iu bashkuar Romës.

Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, drejtuesit e Arsenal-it i kanë ofruar Romës 60 milionë euro për ta lënë të lirë Abraham-in në fund të sezonit.

Roma dhe Mourinho e vlerësojnë shumë Abraham-in dhe nuk duan të privohen nga shërbimet e tij, por milionat nga Anglia tundojnë jo pak.

Në fund do të ndikojë edhe dëshira e lojtarit, nëse dëshiron të vijojë në Itali apo do të rikthehet në Premier League.

Kujtojmë që Roma e transferoi Abraham-in nga Chelsea në verën e vitit të kaluar, për një shumë prej 40 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore