Lajme

Arrestohet një person në Pejë, dyshohet për mashtrime me subvencione


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi i cili dyshohet për mashtrime me subvencione në Pejë.

Sipas raportit 24 orësh, thuhet se pas intervistimit të të dyshuarit, i njëjti është dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar, thuhet në raportin 24 orësh të policisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, më 18 dhjetor Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka deklaruar se nuk ka informacione nëse do të ketë aksione tjera të organeve të rendit sa i përket arrestimeve për keqpërdorime me subvencione.

“Se a do të ketë aksione të tjera ju takon organeve të rendit të ndjekjes që të prononcohen. Nuk është pjesë e obligimeve të mija”, u shpreh ai.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci

Ndërkaq, thekson se kjo është punë e institucioneve të drejtësisë, por që arrestimet e fundit kanë pasur ndikim në parandalimin e abuzimit financiar.

“Pjesa e ndikimit pashmangshëm që ka pasur ndikim dhe ka të bëjë me parandalimin, abuzimet financiare për një periudhë të gjatë kohore që kanë ekzistuar në këtë institucion”.

Ndryshe, më tre dhjetor, policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

Aksioni i Policisë së Kosovës “Subvencioni 2021”.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK”.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

Ndërsa, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore