Lajme

Arrestohen tre të dyshuar për garën e veturave që përfundoi me fatalitet në Gjilan


Foto nga arkivi.

Tre të dyshuar janë ndaluar nga Prokuroria e Gjilanit në kohëzgjatje prej 48 orëve, kjo pasi të njëjtit dyshohet se nuk i kanë dhënë ndihmë L.R, pas vetaksidentit.

Lajmin e ka bërë të ditur prokuroria përmes një komunikate për media.

“Prokuroria e Gjilanit ka ndaluar F.A. dhe B.A. në kohëzgjatje prej 48 orëve, të cilët dyshohen se bashkë me L.M. nuk i kanë dhënë ndihmë L.R. pas vetaksidentit, duke u larguar nga vendi i ngjarjes”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit F.A. dhe B.A. janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale, “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Ndërsa, i dyshuari L.M. për shkak të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

L.R. kishte vdekur nga plagët e pësuara në vetaksident.

Bazuar në informacionet e Prokurorisë, vetaksidenti ka ndodhur më 25 janar.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën”.

Nga prokurori i rastit është thënë se brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore