Kosova

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE” – Suedia: Ende jemi në proces konsultimi


Ilustrim; Glauk Konjufca, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Suedia, e cila po kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian që nga 1 janari, është ende duke u konsultuar me vendet anëtare të Unionit nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet tutje apo jo.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Pyetja kryesore gjithë në këtë mes, sipas diplomatit suedez, është se a duhet apo jo të përcillet aplikimi i Kosovës në Komisionin Evropian.

“Ne jemi duke u konsultuar me të gjitha shtetet anëtare, veçanërisht ato që nuk e kanë njohur Kosovën. Duhet të shohim se ku do të na çojë kjo. Ne jemi duke zhvilluar ende konsultime. Si Suedi do të luajmë një rol shumë neutral dhe profesional dhe do të dëgjojmë të gjitha vendet anëtare”, ka thënë Westerlund për portalin e lajmeve në gjuhën serbe me seli në Kosovë, KIM Radio.

Jonas Westerlund

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, personalisht kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për anëtarësim në BE, presidencën Çeke.

Në një konferencë për media më pastaj, shefi i qeverisë duke bërë një përllogaritje të kohës që u ka marrë vendeve të ndryshme për anëtarësim në BE nga momenti i aplikimit deri të pranimi kishte konkluduar se Kosovës i duhet diku rreth nëntë vjet si kohë mesatare për pranim.

Megjithatë jo gjithçka do të shkojë sipas planeve dhe matematikës së kryeministrit.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijarto, deklaroi javë më parë se shteti i tij në këtë fazë nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e BE-së, derisa Kosova dhe Serbia nuk normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Nëse formacionet të caktuara evropiane do e pranojnë Kosovën në Evropë para arritjes së marrëveshje, kjo do të rrezikonte arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi dhe për këtë arsye Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane”, pati thënë ai.

Përveç Hungarisë, edhe qeveria spanjolle javë më parë kishte deklaruar se nuk do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, kishte thënë Sekretari i Shtetit për BE-në në Spanjë Pascual Navarro gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përzier për BE-në, të mbajtur në Senat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore