Shqipëria

Apeli i GJKKO-së, Veliaj fiton “betejën” përballë Tabakut për shpifje


Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të martën e 5 prillit ka fituar edhe shkallën e Apelit përballë deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e kishte akuzuar për shpifje.

Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së, duke rrëzuar akuzën e Tabakut, për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.

Sipas vendimit të GJKKO-së më 16 dhjetor, Veliaj nuk ka shpifur ndaj Tabakut, kur është shprehur se, sulmi që i bënte PD-ja projektit për ndërtimin e kësaj shkolle, “ishte i orkestruar me qëllim vendosjen e një gjobe ndaj kompanisë që po e ndërtonte atë”.

Sakaq Veliaj ka fituar edhe kundër një tjetër deputeteje demokrate, Grida Duma. GJKKO-ja më 14 dhjetor shpalli të pafajshëm Veliajn përballë akuzës së Dumës.

Grida Duma e kishte paditur për shpifje Veliajn më 23 mars të 2021- it. Padia lidhej me reagimin e Veliajt, pas akuzave që ka ngritur PD-ja ndaj tij për lidhje me mafien italiane.

Në padinë e Dumës thuhej se “shtetasi Erion Veliaj ka ngritur një sërë akuzash të drejtpërdrejta, duke e akuzuar Dumën si trafikante apartamentesh.

Nga ana tjetër deputetja e PD-së e ka konsideruar këtë deklaratë si “trillime shpifëse, që bëhen duke përdorur një terminologji kriminale pikërisht për t’i bërë më të rënda për publikun”.

Më 6 dhjetor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi pezullimin e çështjes mes deputetes, Grida Duma dhe kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Nga GJKKO-ja, prokurori Behar Dibra, u shpreh se kryebashkiaku nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka konsumuar elementet e veprës penale të shpifjes.

Ndërsa më 22 shtator të vitit të kaluar u mbajt seanca pajtimore mes tyre, por Duma theksoi asokohe se nuk ka dhënë dakordësi për pajtimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore