Lajme

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Tahiri: “Kemi qenë konstruktiv, s’duhet të ndërlidhet me dialogun”


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, s’duhet të ndërlidhet me proceset e tjera politike.

Pas një takimi të zhvilluar me ambasadorë të akredituar në Kosovë, vendet e të cilëve janë anëtarë të KiE-së, Tahiri kërkoi që ky proces të mos ndërlidhet me dialogun, sepse sipas tij, Kosova është treguar konstruktive ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Si vend e kemi pasur një qasje shumë konstruktive dhe mbështetëse ndaj njërit prej anëtarëve, në këtë rast Ukrainës, duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të qenë në vijë me botën perëndimore”.

Keshilli i Evropes

“Kosova përgjatë këtyre viteve ka dëshmuar që të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit e ka në agjendën e vet primare dhe anëtarësimi i Kosovës është imperativ i kohës”, shtoi ai.

Gjithashtu, Tahiri theksoi nevojën që qytetarët e Kosovës të kanë qasje në instrumentet që ky institucion i ka, në veçanti në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

“Duke theksuar se Kosova, kushtetuta e saj, dhe ligjet më të rëndësishme i kanë përfillë dhe mishëruar vlerat që i përfaqëson ky institucion në legjislacionin përkatës”.

Ndryshe, të enjten e 12 majit, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Ai ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme gjyqësore. Grupi i ekspertëve kushtetues, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për vendet në mbarë botën.

Ndryshe Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e tubimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave.

Kosova, është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk është anëtarë i Këshillit të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore