Lajme

Ambasadorja izraelite në Kosovë: Kohërat e vështira i tregojnë miqtë e vërtetë


Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, ka falënderuar sërish Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti, për mbështetjen që kanë treguar pas sulmet mbi këtë shtet nga grupi terrorist i Hamasit.

Ziv, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ ka thënë se këto ditë janë jashtëzakonisht të errëta dhe të vështira për Izraelin.

“I nderuar kryeministër, edhe një herë, ju falënderoj shumë për mbështetjen tuaj të palëkundur personale dhe mbështetjen e Kosovës për Izraelin në këto ditë jashtëzakonisht të errëta dhe të vështira!”.

“Kohët e vështira i tregojnë miqtë tanë të vërtetë”, ka shkruar ajo.

Më 9 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin në rritje të vdekjeve në Izrael që po bëhen nga militantët e Hamasit.

Kreu i ekzekutivit, përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka thënë se Kosova qëndron me aleatët duke kërkuar ndalimin e këtyre akteve.

“Shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin në rritje të vdekjeve pas sulmeve të Hamasit në Izrael”.

“Unë qëndroj me aleatët tanë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre akteve, duke mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër terrorizmit dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, ka shkruar ai.

Çka po ndodh në Izrael?

Izraeli i ka thirrur të hënën rreth 300 mijë ushtarë rezervistë për të luftuar kundër Hamasit.

Ushtria e Izraelit e përshkroi këtë thirrje si më të madhën në historinë e Izraelit për një kohë kaq të shkurtër.

Më shumë se 123 mijë palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur brenda vendit, si pasojë e sulmeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli në enklavën bregdetare, njerëzit kanë ikur për shkak të frikës, ose për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga sulmet, tha zyra e OKB-së.

Izraeli vazhdimisht ka pasur armiqësi me Hamasin, duke luftuar me të në Gazë katër herë dhe duke kryer një numër të operacioneve që shkaktoi qindra viktima palestineze.

Sulmi në Izrael.

Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.

Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.

Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Hamasi në tërësi ose në disa raste krahu i tij ushtarak cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore