Lajme

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, në Tajlandë: “Merreni shembull Kosovën”


Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të mirë për Kosovën IHRC

“Merreni shembull Kosovën dhe Ukrainën dhe jeni të gatshëm të udhëheqin me shtetet tuaja sot, nesër dhe çdo ditë tjetër”, kështu u është drejtuar Ambasadorja e Vullnetit të mirë për Kosovën në International Human Rights Commission (IHRC), Elvana Shala, pjesëmarrësve në Samitin Global për Lidershipin e Ri që po zhvillon punimet në Bangkok të Tajlandës.

Si një nga 250 përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse, Shala ka folur për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe lëvizjet globale mbi arritjen e paqes në Ukrainë duke vene theksin mbi shembullin e Republikës së Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt paqes, lidershipit dhe diplomacisë që ka zhvilluar.

Përpara liderëve të rinj, përfaqësuesve të agjencive të OKB-së në Tajlandë, ministrave e zyrtarëve tjerë të lartë, ka theksuar se është tejet e rëndësishme zhvillimi dhe ruajtja e raporteve me vendet që kanë kaluar kriza lufte për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në botë.

“Ne si lider të rinj duhet të njihemi mirë me historitë e dhimbshme por edhe të suksesshme të vende e të ndryshme në botë për të qenë në gjendje të nxjerrim konkluzione për paqe e stabilitet në vendet tona! Andaj merreni shembull Kosovën dhe Ukrainën dhe jeni të gatshëm të udhëheqin me shtetet tuaja sot, nesër dhe çdo ditë tjetër”, ka thënë ajo.

Ajo është takuar edhe me presidentin dhe anëtarët e Këshillit Rinor të Spanjës  të cilëve u ka kërkuar që lobojnë në shtetin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për më tej, ajo i ka ftuar ata që të vizitojnë Kosovën dhe të mos ndikohen nga politika aktuale.

Sipas komunikatës për medie nga IHRC, Shala ka zhvilluar takime me krerët e organizatave të ndryshme botërore që veprojnë në Tajlandë, gjatë ditës së dytë të qëndrimit në këtë shtet.

Për të diskutuar, siç thuhet në njoftim, rreth mundësisë së bashkëpunimit dhe vizitës së tyre në Kosovë në tetor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore