Lajme

Ambasada SHBA-së në Kosovë: Koha të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka Nimani dhe Këshilltari për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar të premten me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.

Këtë e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Kosovë përmes një postimi në Twitter, në të cilin thuhet se është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj. Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Lidhur me këtë takim detaje kanë dhënë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Nga kjo Gjykatë thuhet se kryetarja Caka e ka njoftuar Swartz me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese.

Në njoftim thuhet se palët në vazhdim kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektiv për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe rëndësinë e konsolidimit të sundit të së drejtës në çdo vend demokratik.

Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetarja Caka – Nimani është takuar edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore