Lajme

Ambasada franceze përshëndet “Marrëveshjen për të Pagjeturit”


Ambasada e Francës në Kosovë përmes një cicërime në Twitter ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur, në takimin e 4 prillit në Brulksel, në mes të kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Pekoviç.

“Përshëndesim marrëveshjen e arritur nga delegacioni kosovar dhe serb me 4 prill në Bruksel me synimin e nënshkrimit të ardhshëm të deklaratës së përbashkët për personat e pagjetur”, kanë shkruar në Twitter.

Tutje, thuhet se kjo marrëveshje është një hap konkret, dhe që do t’i mundësonte familjarëve ta dinë të vërtetën për të dashurit e tyre.

“Në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, ky është një hap konkret përpara i cili u mundëson familjeve të viktimave të shpresojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe më në fund mund të mbyllin periudhën e zisë që ndonjëherë ka zgjatur më shumë se 30 vite”.

Ndërkaq, nga ambasada franceze bëjnë me dije se “Franca mbështet Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili punon me partnerët e tij kombëtar për të gjetur, identifikuar dhe kthyer këta njerëz në familjet e tyre”.

“Edhe këtë vit, një kontribut prej 100 mijë euro do t’i dhurohet KNKK-së për t’i mundësuar atij të vazhdojë të kryejë misionin e saj humanitar. Kjo është thelbësore për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet aty.

Ndryshe, Marrëveshja për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë është arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me 4 prill, por deklarimet kundërthënëse pas lajmit për marrëveshje kanë shkaktuar paqartësi për atë se çfarë saktësisht u dakorduan palët në Bruksel.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Kosova donte që të ishte e frazuar si “personat e zhdukur me dhunë”, kurse Serbia si “personat e pagjetura”.

Ishte Petar Petkoviç, kryenegociatori i palës serbe, ai i pari i cili foli për media pas takimit me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bilsimin, duke deklaruar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Megjithatë, Petkoviç, nënvizoi faktin se Serbia nuk ka pranuar që në tekst të përfshihet termi “të zhdukur me dhunë” term për të cilin pala kosovare kishte insistuar.

Ndryshe nga Petkoviç, Andin Hoti, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook një ditë pas takimit, ka shkruar se Serbia e ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur ku e përfshirë është edhe fjalia “të zhdukur me dhunë”.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiç në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

A u hoq termi “të zhdukur me dhunë” nga “Marrëveshja për të Pagjeturit”? – Petkoviç thotë se “Po”, Hoti “Jo”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore