Kosova

A u hoq termi “të zhdukur me dhunë” nga “Marrëveshja për të Pagjeturit”? – Petkoviç thotë se “Po”, Hoti “Jo”


Ilustrim: Petar Petkoviç dhe Andin Hoti

Marrëveshja për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë është arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, por deklarimet kundërthënëse pas lajmit për marrëveshje kanë shkaktuar paqartësi për atë se çfarë saktësisht u dakorduan palët në Bruksel.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Kosova donte që të ishte e frazuar si “personat e zhdukur me dhunë”, kurse Serbia si “personat e pagjetura”.

Ishte Petar Petkoviç, kryenegociatori i palës serbe, ai i pari i cili foli për media pas takimit me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bilsimin, duke deklaruar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Megjithatë, Petkoviç, nënvizoi faktin se Serbia nuk ka pranuar që në tekst të përfshihet termi “të zhdukur me dhunë” term për të cilin pala kosovare kishte insistuar.

Ilustrim: Besnik Bislimi, Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviç

Ndryshe nga Petkoviç, Andin Hoti, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook një ditë pas takimit, ka shkruar se Serbia e ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur ku e përfshirë është edhe fjalia “të zhdukur me dhunë”.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiç në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Hoti ndër të tjera ka theksuar se deklarata për personat e zhdukur detyron palën serbe të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.

“Sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do ti publikojmë edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate”.

Për Marrëveshjen për personat e pagjetur, pas takimit foli edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, i cili konfirmoi pajtimin, por pa u lëshuar në detaje se a përmban deklarata termin “me dhunë”, apo jo.

Lidhur me takimin e ditës së martë në nivel kryenegociatorësh foli edhe shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili tha Marrëveshja për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur është hapi i parë.

“Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, shkroi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në rrjetin e tij në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore