Film

Alberto Mielgo për filmin e animuar “The Windshield Wiper”


Kopertina e filmit "The Windshield Wiper"

Alberto Mielgo në filmin e tij të ri të animuar “The Windshield Wiper”, një film që synon të sfidojë tërë animacionet tradicionale, ka bërë më shumë se një prodhues filmash i zakonshëm.

Ai ka bërë skenarin, muzikën, regjinë, zërimin, dhe gati se i tërë filmi është produkt puro i tij.

Ky film i animuar me metrazh të shkurt graviton rreth një pyetjes qendore. Një burrë në moshë të mesme pyet publikun: çka është dashuria?

Përmes vinjetave, ky njeri ndërmerr një udhëtim për t’iu përgjigjur kësaj pyetje me rëndësi të madhe për të, dhe përfundimisht e gjen atë.

Regjisori spanjoll, Alberto Mielgo, si mision të tij filmik ka sfidimin dhe tejkalimin e formave konvencionale të filmave të animuar, si për nga tema, ashtu edhe për nga vizuali, të frymëzuar edhe nga navigimet në filmat e David Lynch.

Producenti Mark Ceryak për filmin “The Windshield Wiper” komentoi se “kur e pash filmin, ne u fiksuam pas tij. Çdo sekuencë e këtij filmi është botë dhe disponim në vete. Ai s’bëhet rehat në zanatin e tij, dhe gjithmonë është në ndjekje të gjërave që shkojnë përtej. Ne jemi të nderuar të mbështesim këtë regjisor vizionar dhe singullar, që me secilin film bën kontribut të veçantë në botën e kinemasë”.

Kurse Alberto Mielgo ka thënë se gjithçka në film është vinjetë e jetës së tij personale, të gjërave që vëren te miqt e tij dhe njerëzit, dhe njerëzve që sheh rrugës.

“Unë mbaj shënime në kokë, dhe kjo në fakt është mënyra se si punoj. Gjithçka ka të bëjë me lidhjet, por duke i parë gjërat nga jashtë. Kur je thellë në një lidhje, asgjë s’mund të shohësh. Nëse një shok të thotë se diçka është keq, ti s’e vëren”.

“Pra, kjo është si të fusësh kamera brenda këtyre momenteve. Gjithashtu, është ambige dhe s’mund ta dish ç’po ndodh”.

Ai gjithashtu ka shpjeguar se pse ka vendosur që të gjithë këtë panoramë të thellësisë së ndjenjave njerëzore ka vendosur ta shprehë në animacion, e jo në film me personazhe reale.

“Animacioni është formati im i preferuar. Është ai format arti që përfshinë të gjitha artet tjera, si vizatimi, pikturimi, rrëfimi, muzika, dhe sigurisht, edhe të shkruarit”.

“Me animacion 3D, ne mund t’i futemi edhe skulpturës”, ka thënë Mielgo.

Ai ka komentuar mbi ngjyrat e përdorura dhe është shprehur se është një gjë shumë manipulative. Ai, për shembull, është skeptik ndaj konsensusit të animatorëve se e kaltërta mund të shpreh mërzinë. Dhe preferon që në fakt të krijojë kundërthënie në këto dimensione ose modele të mirëpranuara nga animatorët.

“Megjithatë më pëlqen të përdorë ngjyra, por jo që të shpreh disponime ose të manipulojë audiencën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore