Lajme

Aktakuzë ndaj pesë personave për nxitje të kryerjes së akteve terroriste


Ilustrim.

Ndaj pesë personave është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale – Departamenti Special nën dyshimin për nxitje të akteve terroriste.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media.

“Të pandehurit L.B dhe B.V. kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm të sanksionuar nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Më 15 maj, Policia e Kosovës, kishte arrestuar pesë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “shtytje në kryerjen e veprës terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ky aksion i policisë i koordinuar me Prokurorinë Speciale të Kosovës u realizua në gjashtë lokacione të ndryshme “në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, për zbatimin e urdhëresës për kontroll, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special”, thuhet në njoftimin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar tri revole, një armë automatike AK-47, një armë rekreative pneumatike, pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore