Lajme

Aksioni “Porosia”, arrestohen katër persona për krim të organizuar në Prishtinë


Foto nga aksioni.

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Prishtinë, me dyshimin se janë të përfshirë në disa vepra penale në mënyrë të organizuar.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga ana e policisë.

Sipas njoftimit policor, të dyshuarit me inicialet D.S., XH.M., H.H. dhe T.SH, dyshohen se kanë kryer veprat penale “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “lëndim i rëndë trupor”, “zjarrvënie”, “detyrim” dhe armëmbajtje pa leje.

Në njoftim është theksuar se të dyshuarit edhe kanë frikësuar viktima, që janë përcjellë për një kohë të caktuar nga ky grup kriminal.

“Viktimat janë të profileve të ndryshme, ku disa nga viktimat e identifikuara kanë qenë direkt të sulmuar, të cilët kanë pësuar lëndime trupore”.

Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera janë sekuestruar dy armë të gjata, katër armë të shkurtra, 43 fishekë, 5 mijë euro, 2 automjete, 4 telefona dhe mjete të forta.

“Me vendim të prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, katër të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore”.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e R. Kosovës të cilët kanë qenë apo edhe ende janë viktimë e përfshirjes së veprave penale në fjalë, të lajmërohen në Polici në stacionet më të afërta, apo edhe të kontaktojnë në linjat telefonike të bëra publike”, thuhet në njoftim.

Aksione të ngjashme nga ana e Policisë së Kosovës ka pasur edhe në të kalurën.

Në muajin tetor të 2022, Policia kishte kishte ndërmarrë një aksion në të cilin ka kontrolluar pesë lokacione të ndryshme.

Edhe më 21 shtator, policia e Kosovës në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë kishte zhvilluar një aksion operacional në vazhdën e rastit Brezovica.

Nga pesë aksionet e mëparshme të policisë dhe prokurorisë në këtë rast, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore