Lajme

Policia aksion në pesë lokacione të Prishtinës


Policia e Kosovës. Foto nga arkivi.

Policia e Kosovës, në rajonin e Prishtinës ka ndërmarrë një aksion në të cilin ka kontrolluar pesë lokacione të ndryshme të hënën.

“Në kuadër të punës parandaluese janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative të cilat në veçanti kanë rezultuar me gjetjen e armëve dhe municioneve si dhe identifikimin e poseduesve të tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur mjetet të cilat ka arritur t’i sekuestroj nga ky aksion.

Foto nga arkivi.

“Dy  revole të tipit ZORAKI, të  kalibrit 7.65 mm, një  revole të tipit SIG SAUER, e  kalibrit 9 mm, një  revole të tipit CZ, e  kalibrit 9 mm, një  revole të tipit CZ, e  kalibrit 7.65 mm, si dhe nëntëmbëdhjetë (19) copë fishek të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”.

Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve për secilin rast ndaras, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, dhe të njëjtit janë proceduar më tej.

Nga policia është thënë se në kuadër të veprimtarisë së tyre për përmbushjen e misionit për garantimin sigurisë, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale.

Edhe më 21 shtator, policia e Kosovës në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë kishte zhvilluar një aksion operacional në vazhdën e rastit Brezovica.

Nga pesë aksionet e mëparshme të policisë dhe prokurorisë në këtë rast, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore