Lajme

AGK kërkon që Qeveria të tërhiqet nga projektligji “për kontrollimin e mediave të shkruara”


Xhemajl Rexha, Flutra Kusari dhe Imer Mushkolaj

Qeveria e Kosovës duhet të heq dorë nga projektligji i cili ka për synim “kontrollimin e mediave të shkruara”.

Kështu të paktën ka apeluar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në një konferencë për media ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në një konferencë për media kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, duke folur për projektligjin ka cilësuar se Qeveria e Kosovës përmes këtij ligji po dëshiron “t’i sulmojë mediat” me tendencë “për t’i kontrolluar ato”.

“Projektligji parasheh që KPM-ja t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të videove duke përfshirë edhe nevojën që ato të lincesohen në një mënyrë të veçantë”, ka thënë Rexha.

Në anën tjetër juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, potencoi se Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji mund të gjobisë mediat online me gjoba që mund të shkojnë deri në 40 mijë euro.

“Secila media online do të duhej të regjistrohej në KPM nëse kalon projektligji. Aparati shtetëror do të përdoret si sulm për mediat online me gjoba që mund të shkojnë deri në 40.000 euro”, ka thënë Kusari.

Kryetari i AGK-së i ka ftuar në dialog të gjithë të interesuarit duke përfshirë mediat dhe shoqërinë civile, në mënyrë që të jenë në gjendje që ta bëjnë punën e tyre pa presionin politik.

Në mbledhjen e 180-të të Qeverisë së Kosovës në fund të muajit dhjetor ishte miratuar Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se projektligji në fjalë është në kuadër të harmonizimit të tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Paraqes para jush si një ligj që do të bëjë reformë në fushën e medias, e që do të trajtojë dhe rregullojë kompetencat e KPM-së, pronësinë e mediave, mbrojtjen e fëmijëve dhe qasjen e personave me aftësi të kufizuara”, kishte deklaruar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore