Lajme

Agjenda e 24-vjetorit të Manifestimit Tradicional “Epopeja e UÇK-së”


Epopeja e UÇK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në cilësi të Kryetarit të Këshillit Organizativ të Manifestimit Tradicional tre ditor “Epopeja e UÇK-së”, ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive në aktivitetet e planifikuara sipas agjendës shtetërore për datat 5, 6 dhe 7 mars, thuhet në njoftimin për media të MM-së.

“Epopeja e UÇK-së” organizohet nën patronazhin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përkujdesjen e Qeverisë, dhe institucioneve lokale dhe organizatave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Agjenda shtetërore e aktiviteteve të Manifestimit për datën 5 mars fillon në ora 11:00, me Ceremoninë e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa kjo kazermë do të jetë e hapur për qytetar nga ora 12:00 deri në ora 15:00.

Në ora 12:00 do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa edhe kuvendet komunale do të zhvillojnë seanca solemne. Kurse nga ora 12:00 deri në ora 15:00, do të zhvillohen aktivitete me nxënës të shkollave.

Agjenda shtetërore për datën 6 mars do të fillojë në ora 9:00 me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ndërsa nga ora 12:00 do të bëhen homazhe në komplekset e tjera memoriale të dëshmorëve të UÇK-së.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 11:00 deri në ora 17:00, do të ketë instalacion me fotografi dhe video, duke shpërfaqur historinë e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.

Në ora 17:00, kjo datë do të përmbyllet me Akademi përkujtimore në sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Dita e tretë e manifestimit, përkatësisht 7 mars do të hapet me orën e parë mësimore duke iu kushtuar Epopesë së UÇK-së.

Në ora 18:00, Manifestimi “Nata e Zjarreve”, do të organizohet koncert në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, ndërsa po në të njëjtën kohë në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë do të ndizen flakadanë, të cilët do të ndizen edhe në 7 zonat e UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore