Lajme

Abelard Tahiri kërkon llogari nga Kurti për deklaratën e tij në Bruksel


Në seancën e rregullt plenare në Kuvendin e Kosovës, shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar llogari nga Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili gjatë vizitës së tij në Bruksel, deklaroi se duhet hequr nga politika kriminelët në shtetet e këtij rajonit.

Kjo deklaratë e Kurtit, sipas Abelard Tahirit ishte sulm direkt mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimtarët e vendit.

Ai deklaratën e Kurtit e ka quajtur skandaloze dhe sipas tij kjo deklaratë i  hedhë pluhur të vërtetës tonë historike si komb, popull e shtet.

“Këto qasje aspak naive por mirë të menduara sipas kryeministrit tonë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian shpjegohet si proces me faza, dhe faza e fundit prej të cilave qenka eliminimi nga skena politike e institucionale të kriminelëve të luftës nga vendet e BP-së”, është shprehur Tahiri.

Ai po ashtu, ka theksuar është e ditur se kush është krimineli dhe kush është viktima në Ballkanin Perëndimor.

“Botërisht është e ditur kush ka kryer krime në përmasa të gjenocidit në Bosnjë e në Kosovë, është e ditur se ku është adresa e këtyre kriminelëve të luftës por fatkeqësisht diçka që se kemi besuar, kryeministri jonë nuk pati guximin që ta thotë se kjo adresë është Serbia”, deklaroi Tahiri.

Ndërkohë, Tahiri duke dashur t’ia përkujtojë kryeministrtit Kurti, ka thënë se kriminelët e luftës janë Millosheviç, Lubisha Dinkoviç, Pavkoviç, Llazareviç, Boxhidar Gjeliç, Arkan e Mariajeviç, Llukiç e plot të tjerë që kanë planifikuar, komanduar, urdhëruar e kryer krime dhe kanë drejtuar bandat vrastare në Kosovë.

“Këta janë përgjegjës për mbi 400 masakra ku u vranë mbi 13 mijë civilë e u zhdukën mijëra të tjerë prej të cilëve ende na mungojnë rreth 1650 qytetarë”.

Ai ka kërkuar nga Kurti që të japë sqarime për deklaratat e tij.

“Kush janë kriminelët e luftës në Kosovë që duhet spastruar e larguar nga institucionet e vendit, pse ai nuk e ka guximin që t’i thotë presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit, në sy se ai është një bashkëpunëtor dhe është një kriminel lufte dhe është bashkëpunëtor i Sheshelit dhe Millosheviçit, dy figurat më vrastare më famë keqe në Evropën e shekullit 20 dhe 21”.

Po ashtu ka kërkuar sqarim pse Kurti nuk e pati guximin që ta ballafaqojë Kryeministren e Serbisë, Bërnabiç dhe Vuçiçin me këto deklarata.

“Pse duhet ta zgjerojë hartën e krimeve, pse duhet ta përfshijë një hartë të tillë edhe Republikën tonë, pse deklaratat e tilla duhet të citohen nga mediat ndërkombëtare si BBC, CNN e shumë të tjera, pra është e rëndësishme që kryeministri jonë që të sqarohet e deklarohet për deklaratat e tij, kush janë kriminelët e luftës që sot gjenden në institucionet e Kosovës, a janë kriminelë të luftës ata që dje ishin veteranë dhe dje luftuan për çlirimin dhe pavarësimin e këtij vendi”, përfundoi Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore