Lajme

Abdixhiku: 14 shkurti mësim, 17 tetori krenari


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari, siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim”.

Kështu ka shkruar në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar si rikthim të LDK-së rezultatin e 17 tetorit në zgjedhjet lokale në vend.

Por sipas tij, “vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër”.

“Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë. Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar pa balotazh në Pejë e Lipjan, ndërsa në nëntë komuna tjera do të garojë në nëntor në balotazh, përfshirë Prishtinën.

Ndryshe të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë dhe se raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash do të bëhet katër javë pas raundit të parë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka thënë se ka raste kur nuk është bërë përditësimi i të dhënave në web faqen e KQZ-së për disa vendvotime. Por, që janë duke punuar në atë drejtim që sa më shpejt të rregullohet si problem.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore