Lajme

Abbott, Bislimit: Duhet një periudhë tranzicioni për çështjen e dinarit


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të martën ka takuar zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimin, me ç’rast kanë diskutuar për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës që ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe dinarin në territorin e Kosovës.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Abbott ndërsa ka prezantuar qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me këtë çështje ka vlerësuar se Kosova duhet të ofrojë periudhë më të gjatë të tranzicionit për serbët e Kosovës të cilët janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga rregullorja e fundit e BQK-së.

“Rregullorja e re e BQK-së kërkon një periudhë tranzicioni për të mundësuar një fushatë të plotë informuese dhe për të mos lejuar asnjë ndërprerje në ofrimin e shërbimeve thelbësore”, ka shkruar Abbott.

Diplomati britanik ndër të tjera ka njoftuar se me Bislimi është diskutuar edhe për bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës në fushën e forcimit të administratës tatimore dhe doganave të Kosovë.

“Gjithashtu reflektuam edhe mbi dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një komunikate për media e lëshuar fillimisht në gjuhën angleze e më pastaj në gjuhën shqipe, ka sqaruar pozicionin e Qeverisë së Kosovës në raport me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës si dhe iu është përgjigjur kërkesave të komunitetit ndërkombëtar që vendimi në fjalë të mos zbatohet në terren për një kohë deri sa kjo çështje të sqarohet.

Kurti ka pranuar se ka pasur mungesë të prezantimit adekuat të rregullores së re të BQK-së i cili ka krijuar konfuzion sidomos te komuniteti serb, i cili është ndikuar më së shumti nga ky vendim, gjë për të cilën reagoi edhe komuniteti ndërkombëtar.

“Edhe pse rregullorja ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, ne e pranojmë se nevojitet një periudhë tranzicioni. Gjatë këtij muaji, ne do të sigurohemi që të ofrojmë të gjithë informacionin dhe ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i qetë. Në vazhdim, ne gjithashtu zotojmë të nxisim fushatat e komunikimit që trajtojnë këto çështje me ndjeshmërinë që meritojnë”.

Megjithatë ai ka potencuar se periudha e tranzicionit të cilën po e mundëson Qeveria e Kosovës nuk duhet të keqinterpretohet.

“Pasiguria e shkurtër e hasur gjatë kësaj periudhe nuk duhet të përdoret për përfitime politike. Kjo periudhë ndryshimi vështirësohet jo me zërat e komunitetit serb këtu, por me ndihmën e frikësimit, kur ne, në fakt, duhet të tregojmë maturi dhe qetësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kurti.

Kurti pranon se rregullorja e BQK-së s’u prezantua siç duhet: Tranzicioni të mos përdoret për përfitime politike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore