Lajme

Abazoviç: Partnerët ndërkombëtarë po na kërkojnë të jemi pjesë e qeverisë


Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë që partia që ai e udhëheqë Lëvizja Qytetare “URA”, të jetë pjesë e qeverisë së re malazeze, dhe kjo sipas tij për të kontrolluar “individë të papërgjegjshëm”.

Këto komete ai i bëri pasi që nga Lëvizja Evropa Tani, që udhëhiqet nga eksperti financiar, Milojko Spajiç, si fitues të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, kanë refuzuar çfarë do mundësie që ta marrin në koalicion partinë e Abazoviç-it.

Madje, këtë e ripërsëriti zyrtari i lartë i Lëvizjes Evropa Tani, Andrej Miloviç, ku tha se URA nuk do të jetë partner qeverisës, dhe se një gjë e tillë është “e papranueshme edhe për partnerët e huaj”.

Në përgjigje të kësaj deklarate, Abazoviç theksoi se janë dy ose tre persona që, sipas tij gjithçka që thonë “është mashtrim”.

“Çdo ditë e më shumë po demaskohen, filluan me mbështetjen e 54 deputetëve, tani po përpiqen t’i kenë 41. Paç fat, torta po pret, do të duhet ta kalojmë nga frigoriferi i zakonshëm në ngrirje. Nuk po i përgjigjem akuzave të tij, po pres ta shoh në një emision televiziv dhe pastaj do të dëgjohen gjërat e vërteta”, potencoi ai, transmeton media malazeze “Pobjeda”.

Ai shtoi se “për të kontrolluar individë të tillë” – duke iu referuar Miloviç – është edhe arsyeja që partnerët ndërkombëtar po kërkojnë që “URA” të jetë pjesë e qeverisë së 44-të malazeze.

“Nuk jam i sigurt se njerëz të tillë do të jenë edhe pjesë e pushtetit ekzekutiv. Mendoj se një perceptim kanë pasur më 11 qershor, një tjetër do ta kenë më 11 shtator dhe të tretën më 11 nëntor”, shtoi.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, me 10 gusht ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, për të krijuar qeverinë e re.

Ai, sipas afateve ligjore ka 90 ditë për ta bërë një gjë të tillë.

Spajiç ka përjashtuar çfarëdo mundësie për të bërë koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve – partinë e Milo Gjukanoviç-it, si dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviç-it, ndërsa ka bërë me dije se edhe koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb – nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që qeveria e re malazeze që do të vije ta shpallë të mbyllur çështjen e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore