Sport

A po largohet Ronaldo nga Manchester United?


Ndarja mes Cristiano Ronaldo-s dhe Manchester United gjithnjë e më shumë është duke u afruar.

Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, Ronaldo ka pasur bisedime me agjentin e tij, Jorge Mendez, për t’i kërkuar që të largohet nga klubi i Manchester-it.

Pas mungesës në derbin kundër Manchester City-t në fundjavën që lamë pas, CR7 nuk mori pjesë në seancën stërvitore këtë të martë, i cili duket i nervozuar me trajnerin e United, Ralf Rangnick.

Kjo pasi që Rangnick vendosi që mos ta grumbullojë portugezin në sfidën e së dielës, i cili tha se nuk ishte në formën më të mirë fizike.

Por, kjo gjë u spekulua shumë, pasi që flitej se Ronaldo ka qenë mirë fizikisht, por kjo ishte një zgjedhje teknike e trajnerit gjerman.

Këto mungesa justifikohen nga klubi me problemet fizike, që deklarohet se e detyruan portugezin të humbasë edhe dy ndeshje të tjera në janar.

Megjithatë, dyshimet se marrëdhëniet mes Ronaldos dhe “Djajve të Kuq” janë në fundin e tyre, po shtohen çdo ditë e më shumë, me të ardhmen e portugezit që ende nuk dihet se cila do të jetë.

Kujtojmë që ylli portugez u transferua nga Juventus-i te ‘djajtë e kuq’ në verën e kaluar, i cili nënshkroi kontratë dy-vjeçare.

Deri më tani ai ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar tre asistime në 31 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e klubit anglez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore