Lajme

A do të shkëputet Rusia nga ‘Swift’ nëse Moska pushton Ukrainën?


Me rolin e tij të thjeshtë, por vendimtar në sistemin financiar global, rrjeti ndërkombëtar i pagesave Swift është shfaqur dukshëm në diskutimet mbi sanksionet e mundshme ndaj Rusisë nëse do të pushtonte Ukrainën.

Kooperativa belge jofitimprurëse ofron shërbime të sigurta të mesazheve për pagesa në vlerë prej triliona dollarësh ndërmjet bankave.

Ajo e ka gjetur veten vazhdimisht në qendër të vëmendjes gjatë krizave ndërkombëtare – veçanërisht tensionet mbi programin bërthamor të Iranit, kur në vitin 2012 dhe përsëri në 2018-ën u shty për të bllokuar bankat iraniane të shënjestruara nga sanksionet nga shërbimet e saj.

Aleatët perëndimorë tani po diskutojnë nëse Swift – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën – duhet të shtyhet për të ndërprerë aksesin e bankave ruse në rrjetet e saj nëse Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, urdhëron një sulm ndaj Ukrainës.

Por shumë zyrtarë dhe ekspertë argumentojnë se një veprim i tillë nuk do të ishte mënyra më efektive për të ushtruar presion mbi Moskën.

Swift operon një sistem mesazhesh për bankat në mbarë botën, duke transmetuar kërkesat për pagesa dhe duke mbajtur një regjistrim të tyre në serverët në Evropë dhe SHBA. Në pronësi të më shumë se 2 mijë bankave dhe institucioneve financiare, ajo trajton 42 milionë mesazhe të tilla në ditë.

Megjithëse ekzistojnë shërbime të tjera të pagesave ndërkufitare, Swift luan një rol të madh. Ndërprerja nga Swift e disa bankave iraniane në vitin 2012 ishte një nga faktorët prapa një rënie të mprehtë të eksporteve të naftës të Iranit, të cilat ranë nga më shumë se 3 milionë fuçi në ditë në 2011-të në rreth 1 milion fuçi në ditë disa vite më vonë.

Politikanët amerikanë kërkuan që Rusia të shkëputej nga Swift pas aneksimit të Krimesë nga Moska në 2014-tën, megjithëse ideja nuk u realizua kurrë. Alexei Kudrin, ish-ministri i Financave i Rusisë, paralajmëroi në atë kohë se një veprim i tillë mund të shkaktojë tkurrje të prodhimit të brendshëm bruto deri në 5 për qind.

Rusia, e cila përbënte 1.5 për qind të totalit të transaksioneve në Swift në vitin 2020, ka zhvilluar vetë një sistem alternativ të mesazheve të quajtur SPFS, i cili trajton rreth një të pestën e pagesave të brendshme, por kjo mbetet më pak e aftë dhe më e kufizuar në shtrirje sesa Swift.

Sa ka gjasa që Rusia të shkëputet nga Swift?

Swift ka qenë pjesë e diskutimit midis aleatëve perëndimorë mbi sanksionet në përgjigje të ngritjes së trupave ruse në kufirin e Ukrainës.

BE, Britania dhe SHBA-të kanë rënë dakord për përdorimin e sanksioneve financiare, si pjesë e një pakete bazë që mund të përmirësohet ose zvogëlohet në varësi të shkallës së çdo sulmi rus në Ukrainë. Zyrtarët evropianë kanë theksuar se “gjithçka është në tryezë”, por përjashtimi nga Swift nuk shihet si sanksioni më i mundshëm në paketën bazë.

Swift tha se ishte “neutral” dhe se “çdo vendim për të vendosur sanksione ndaj vendeve ose subjekteve individuale varet vetëm nga organet kompetente qeveritare dhe ligjvënësit në fuqi”.

Gottfried Leibrandt, ish-shefi ekzekutiv i Swift, tha në një forum të “Financial Times” vitin e kaluar se megjithëse sistemi ishte teknikisht i pavarur, më shumë se 40 për qind e flukseve të tij të pagesave ishin në dollarë amerikanë dhe kështu Washington-i kishte fuqi efektive sanksionuese mbi të.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Një rrugë më e mundshme janë sanksionet ndaj bankave ruse dhe aftësia e tyre për të kthyer rubla në monedhë të fortë. BE-ja po bashkërendon gjithashtu me vende të treta si Zvicra për të siguruar që sanksionet të mos rezultojnë vetëm në devijimin e transaksioneve financiare ruse diku tjetër.

Disa ekspertë argumentojnë se Swift merr më shumë vëmendje sesa meriton kur bëhet fjalë për sanksionet. Shkëputja e bankave ruse nga Sëift do t’u jepte atyre një “problem të rëndësishëm operacional”, por nuk do t’i pengonte në vetvete që të merren me homologët amerikanë ose evropianë, tha Nicolas Véron i “think-tank-it Bruegel”.

Marrë nga The Financial Times, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore