Skuadra nga Theranda, Golden Eagle Ylli, është shpallur fituesi i edicionit të parë të ligës së përbashkët të basketbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, apo siç quhet “Liga Unike”.
Ylli u shpall kampion, pasi mposhti Pejën me rezultat të ngushtë 79:82, në finalen dramatike të zhvilluar në palestrën sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës.
Ndeshja ishte mjaft interesante, ku Peja e nisi furishëm, duke pasur epërsi deri në 12 pikë në çerekun e parë, derisa kjo pjesë përfundoi me rezultat 27:19 në favor të pejanëve.
Mirëpo, skuadra nga Theranda nuk dorëzohet dhe pesë minuta nga fillimi i çerekut të dytë, ngushton epërsinë në 34:33.
Pastaj dy skuadrat zhvilluan lojë të baraspeshuar, teksa pjesa e parë përfundoi me rezultat 41:38, përsëri në favor të Pejës.
Ylli vazhdoi me lojë shumë të mirë dhe efektive në periodën e tretë, duke afruar shifrat, madje edhe duke kaluar në epërsi, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash lojë, ishte 65:66.
Lojë shumë interesante u zhvillua në çerekun e fundit, ku luftohej për çdo top në parket.
10 minutat e fundit ishin shumë interesant dhe dramatike, me rikthime të shumta në rezultat dhe një lojë spektakolare.
Dhe finalja e parë e edicionit të parë të Ligës Unike, u vendos vetëm në sekondat e fundit të lojës ku Golden Eagle Ylli triumfoi me rezultat 79:82.
Më të dalluarit te Peja ishin Aj Walton me 25 pikë e 10 kërcime, Brandon Walters me 16 pikë e 12 kërcime dhe Laron Dendy me 15 pikë e 9 kërcime.
Ndërsa te Golden Eagle Ylli u dalluan Erjon Kastrati me 21 pikë, Gëzim Morina me 15 pikë e 13 kërcime dhe Mitchell Wilbekin me 18 pikë.
Erjon Kastrati u zgjodh MVP i finales, ndërsa kujtojmë që ky ishte trofeu i parë në histori të klubit për Yllin.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Kurti e di që dëmi i Zajednicës e eklipson çdo përfitim nga anëtarësimi në KiE
-
Këlliçi çon Veliajn në SPAK, për lidhje me Ndrangheta-n
-
Putini betohet për mandatin e pestë, në ceremoninë e bojkotuar nga SHBA-të dhe Britania e Madhe
-
Ardhja e Pahorit në vend të Lajçakut mund ta rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve