Dalin detaje të marrëveshjes Shqipëri-Itali, ndërhyrjet për kampin e emigrantëve do të kushtojnë 300 milionë euro
Mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët afrikanë është publikuar nga mediat italiane një dokument i pazbuluar.
Ka të bëjë me raportin teknik të kampit të emigrantëve, i nënshkruar nga Biagio Mazzotta, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit.
Dhe zbulon me detaje çfarë përmban marrëveshja e firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni në Itali.
Protokolli i nënshkruar nga Italia dhe Shqipëria ka një vlerë prej 230 milionë eurosh.
Po ashtu janë edhe 75 milionë të tjera për eksportin dhe lidhjen e sistemit gjyqësor italian me Shqipërinë.
Sakaq, fatura totale shkon më shumë se 300 milionë euro.
Referuar dokumentit, e terë zona ku do të ngrihet kampi i refugjatëve nuk është e pajisur me kanalizim publik.
Ndaj për kanalizimin e ujerave të zeza, është e nevojshme të ndërtohet një rezervuar me kapacitet të përshtatshëm për të zbrazur periodikisht me një mjet përpunimi ose është e nevojshme të ndërtohet një impiant për pastrimin e tyre.
Zona është e lidhur me rrjetin elektrik publik në tension të mesëm përmes kabllove ajrore.
Në dokument thuhet se rastet e mungesës së energjisë elektrike janë të shpeshta, prandaj është e nevojshme të furnizohet zona me gjeneratorë për furnizimin me energji elektrike dhe funksionimin e vazhdueshëm të kompjuterëve dhe serverave.
Ndërkohë, uji i pijshëm merret nga një depo me një pompë, që nuk është e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë qendrën. Ndaj është e nevojshme të parashikohet ndërtimi i rezervuarëve për të siguruar ujin në kamp.
Nga ana tjetër, zona në tërësi nuk është e urbanizuar.
Për këtë është e nevojshme të ndërmerren hapa për largimin e dherave, prerjen e pemëve, shembjen e rrënojave ekzistuese, si dhe ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës, për hyrjen në zonë dhe brenda saj.
Sipas marrëveshjes, përdorimi i personelit të Ministrive të Brendshme, të Drejtësisë, e të Shëndetësisë në Shqipëri, përfshirë udhëtime, ushqim dhe strehim, kërkon fonde shtesë prej 57,7 milionë eurosh.
E përditshmja italiane “l’Espresso” nxjerr se dhjetë Qendrat e Përhershme të emigrantëve në territorin italian kanë kushtuar 52 milionë euro për katër vjet.
Kurse transformimi i Shëngjinit dhe veçanërisht Gjadrit do të kushtojë të paktën pesë herë më shumë për pesë vitet e ardhshme.
L’Espresso paralajmëron sakaq se do të ketë një shërbim të dedikuar për marrëveshjen me Shqipërinë dhe do të publikojë ato që i cilëson si anët e errëta të paktit Rama-Meloni.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Ekskluzive: Letra e Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kurtin: Hapat që ndërmore s’mjaftojnë, duhet dërgim në Kushtetuese i draftit të BE-së
-
Sigurimet shoqërore me Italinë, Kuvendi ratifikon marrëveshjen
-
Rruga e Ballkanit Perëndimor njeh rënien më të madhe të kalimeve të parregullta
-
Abdixhiku: Letra e Scholzit, Macronit e Melonit ekspozoi populizmin e Kurtit – dështim spektakolar, dëm historik