Kontingjenti i FSK-së kthehet nga Ishujt Falkland, përfundojnë me sukses misionin “Atlantiku”
![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2023/05/fsk.jpg)
Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pasi kanë përfunduar me sukses bashkë-zbarkimin me ushtrinë e Mbretërisë së Madhe në Ishujt Falkland, janë kthyer në Kosovë, njoftoi të martën Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.
Kontingjenti i FSK-së, në përbërje prej shtatë ushtarëve, ka qenë pjesë e integruar e njësive britanike në misionin “Atlantiku”, ku edhe kanë realizuar bashkërisht të gjitha fazat e trajnimit, praktikave taktike dhe operacionale në këtë mision.
“Pjesëmarrja e FSK-së në bashkë-zbarkimin me qëllim të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve, e ngritë nivelin e besimit tek partnerët, përgatitë ushtarakët për misione dhe rritë nivelin e operacionalitetit të ushtarakëve tanë të cilët do të shërbejnë në të ardhmen në misionet shumëpalëshe të paqes kudo që kërkohet”.
Ndryshe, qeveria e Argjentinës pati dërguar një notë proteste në Londër, lidhur me dërgimin e kontingjentit të FSK-së për një mision paqeruajtës në Ishujt Falkand, më saktësisht në ishullin Malvinas, në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar.
Ata pretendonin se nisma ushtarake e kryer nga Mbretëria e Bashkuar “përbën një shfaqje të pajustifikuar të forcës” dhe “distancim të qëllimshëm nga thirrjet e rezolutave të shumta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.
“Ministria e Jashtme e Argjentinës përcjellë refuzimin e qeverisë argjentinase ndaj synimit të Mbretërisë së Bashkuar për të futur aktorë të rinj ushtarakë në Ishujt Falkland, një pjesë integrale e territorit argjentinas të pushtuar ilegalisht nga vendi në fjalë”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq, sipas zyrtarëve argjentinas, prania ushtarake ekstra-rajonale në Ishuj Falkland është në kundërshtim me vullnetin e përhershëm të Argjentinës për të zgjidhur mosmarrëveshjen me mjete paqësore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
Ndryshe, argumenti tjetër të cilin diplomacia argjentinase e ka përdorur për të kundërshtuar vendimin për dërgimin e shtatë ushtarëve të FSK-së në Ishujt Falkand, është fakti se Argjentina nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar në vitin 1982 ishin përfshirë në një luftë që në histori njihet si Lufta e Falkland apo “Guerra de las Malvinas”. Kjo ishte një luftë dhjetë-javore mbi dy territore të varura britanike në Atlantikun e Jugut.
Konflikti filloi më 2 prill, kur Argjentina pushtoi Ishujt Falkland, pasuar nga pushtimi i Gjeorgjisë Jugore të nesërmen. Konflikti zgjati 74 ditë dhe përfundoi me dorëzimin e Argjentinës më 14 qershor, duke i kthyer ishujt nën kontrollin britanik.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Një tjetër përpjekje për të përmbyllur sagën e sigurimeve shëndetësore
-
“Mbështetja e SHBA-së është e palëkundur dhe miqësia jonë është e përjetshme”, thotë Osmani pas takimit me Harrisin
-
Besim Gashi emërohet Atashe i Mbrojtjes së Kosovës në Zvicër
-
Osmani pasi pritet nga Zelenskyy në Zvicër: Jemi për të dhënë mbështetje për lirinë e Ukrainës