Nuk i përfillet urdhrave të trajnerit, portieri i Inter-it largohet nga grumbullimi me Kamerunin
Një situatë e çuditshme ka ndodhur te kombëtarja e Kamerunit në Kupën e Botës.
Portieri i tyre, Andre Onana, e ka braktisur skuadrën pas një mosmarrëveshje me trajnerin e Kamerunit, Rigobert Song.
Ky i fundit i kërkoi Onana-s që ta ndryshonte stilin e lojës, megjithatë portieri thuhet se nuk i përfilli urdhrat e tij.
Onana e ka zakon që të luajë shpesh me këmbë me topin, gjë që trajneri i tij ia ka kërkuar mos ta bëj në këtë Botëror, por Onana nuk i ka dëgjuar kërkesat e tij.
Kjo ka bërë që situata mes tyre të acarohet dhe portieri i Inter-it u la jashtë në ndeshjen e fundit që Kameruni barazoi me rezultat 3:3 me Serbinë.
Pas kësaj, Onana është larguar nga grumbullimi me kombëtaren e tij dhe nuk do të jetë mes shtyllave në ndeshjen e fundit që Kameruni e luan me Brazilin.
Mediat e huaja shkruajnë se edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o ka ndërhyrë në mes për ta gjetur një paqe mes palëve, por kjo ka qenë e kotë.
Tani Onana pritet shumë shpejt t’i bashkohet Inter-it dhe të jetë i gatshëm për përgatitjet parasezonale me klubin e tij.
Kujtojmë që Onana në total numëron 35 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Kamerunit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com