Lëvizja Vetëvendosje të enjten e gjashtë janarit, ka arritur koalicon për bashkëqeverisje në Komunën e Gjilanit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, asamblisti i LVV-së në Gjilan, Ismajl Kurteshi.
“Po mund të ju konfirmoj se kemi arritur koalicion me PDK-në dhe disa parti tjera të vogal. Sot do të bëhet zyrtarizimi i marrëveshjes, PDK do ta ketë nënkryetarin e parë dhe katër drejtori”, deklaroi Kurteshi për Albanian Post.
Mbledhja urgjente e Kuvendit Komunal të Gjilanit, do të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 15:00.
LVV ka fituar Komunën e Gjilanit në raundin e dytë të zgjedhjeve, ku Alban Hyseni është zgjedhur kryetar i komunës.
Më nëntë nëntor, zyrtarisht ai ka marrë detyrën si kryetar i kësaj komune.
Hyseni, para kuvendarëve të Komunës së Gjilanit ka bërë të ditur se do e sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit e kanë pritur.
“Sot jemi në mbledhjen e parë të kuvendit të ri të Gjilanit, kuvendit komunal të ndryshimit dhe zhvillimit që e pret komunën në katër vitet e ardhshëm rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjell frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisnin e që reflektuan me votë fillimisht me 17 tetor e pastaj dhe definitivisht me 14 nëntor”, ka thënë Hyseni.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com