Pas njoftimit se ishte lëshuar urdhër-arresti nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Ai do të qëndrojë në ambientet e Policisë së Tiranës deri në dhënien e masës së sigurisë nga Gjykata.
Nga pamjet e siguruara, Koka ka qenë pa pranga dhe i pashoqëruar nga efektivë të policisë.
Arrestimi i Kokës
Mesditën e kësaj dite SPAK-u lëshoi urdhër-arrestin për Lefter Kokën, i cili shërbeu si ministër i Mjedisit në vitet 2013-2017. Arrestimi ka ardhur pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceratorëve.
Por, përveç Kokës janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.
Akuza e LSI-së lidhet me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Gjashtë, ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.
E para lidhet me emërtimin e procedurës. Sipas kryetares së partisë, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.
Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori. Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.
Arsyeja e katërt lidhet me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.
Kush ishte Lefter Koka?
Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.
Mirëpo, më 1 shtator, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në Facebook.
Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000.
Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.
Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.
Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.
Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.
Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Rezoluta antikorrupsion kaloi mes debatesh, por çfarë parashikon?
-
Ballkani Perëndimor përballet me afate të detyrueshme në lidhje me tregun e energjisë elektrike
-
Parashikimi i motit, 28 maj 2024
-
‘Dualizmi’ i Mitsotakis – Nga një anë thotë se është mbështetësi kryesor i integrimit të Ballkanit, nga tjetra i vë kushte Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Lajmet kryesore
-
Rezoluta antikorrupsion kaloi mes debatesh, por çfarë parashikon?
-
Ballkani Perëndimor përballet me afate të detyrueshme në lidhje me tregun e energjisë elektrike
-
Masakra e civilëve në Rafah: Fëmijët tanë të copëtuar nga bombat, ndoshta nuk konsiderohemi qenie njerëzore
-
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme” – mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së