Lajme

8 orë takime, dhe po vazhdon


Foto nga takimi

Në 10:30 filluan, por ka shënuar ora 18:30 (koha kur është publikuar ky artikull) dhe takimet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe dy diplomatëve evropianë, Josep Borrell e Miroslav Lajçak po vazhdojnë.

“Ka ngërç” ka kuptuar Albanian Post përmes burimeve diplomatike, prandaj takimi në “Vilat e Titos” buzë liqenit të Ohrit po vazhdon ende.

Ngërçi, merr vesh Albanian Post, është rreth dokumentit të propozuar si aneks për implementim e marrëveshjes së arritur më 27 shkurt për normalizim të raporteve.

Siç kupton Albanian Post, draft dokumenti i prezantuar nga ndërmjetësuesit ka pësuar ndryshime që kanë prekur të dyja palët.

Gjatë takimit ka pasur ngecje dhe dallime në disa momente të pakalueshme mes Kurtit dhe Vuçiç’it.

Për këtë arsye, takimi trelateral s’ka mjaftuar me një raund.

Diçka më shumë se një orë zgjati për të pasur vetëm një pauzë të shkurtër dhe për t’u kthyer sërish në të njëjtën dhomë për të kërkuar të njëjtën zgjidhje për të njëjtën çështje – aneksin për implementimin  e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit te Raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Informacione zyrtare nga takimi nuk ka, ende.

Ka qenë zëdhënësi i BE-së që doli para gazetarëve, por vetëm për të treguar që s’mund të tregojë asgjë – aq më pak për përmbajtjen e takimit.

Gjithçka do t’i lihet shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Është ai që njëjtë si me 27 shkurt do të dalë për të dhënë si përmbledhje diskutimet dhe përfundimet nga takimi.

Takimet shumëorëshe në formate të tilla nuk janë të pazakonshme, përafërsisht kaq orë ka zgjatur edhe ai i fundit në Bruksel, e edhe më shumë (mbi 10 orë) pati zgjatur takimi i vitit 2015 mes atëherë kryeministrit Isa Mustafa dhe Vuçiç-it që mbante pozitën e kryeministrit të Serbisë.

Interesimi i madh i mediave për deklarimet pas përfundimit të takimit trepalësh

Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.

Megjithatë ai ka bërë të ditur se nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, prandaj do të ketë bisedime për këtë çështje.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje”.

“Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore