Zgjedhjet në Kosovë

7 vota nga Haga dhe mbi 1000 të tjera nga burgjet në Kosovë


Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u është vazhduar paraburgimi në Hagë të Holandës, tashmë kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që pritet të mbahen me 14 shkurt në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka konfirmuar për Albanian Post se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati e Salih Mustafa do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha se veçse kanë pranuar shtatë aplikime për të votuar nga Haga.

Elezi ka treguar se aplikimi për votim nga ish-komandantët ka shkuar përmes Ambasadës së Kosovës në Holandë në bashkëpunim me Dhomat e Specializuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se me datën 19 janar, ka pranuar aplikimet nga shtetasit e Republikës së Kosovës që aktualisht ndodhen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, deklaroi Elezi.

Thaçit, Veselit, Krasniqit e të tjerëve votimin – përkundër se në paraburgim – ua mundëson Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Neni 96 i këtij ligji specifikon detajisht procedurën që duhet ndjekur.

“Sipas këtij neni, votuesi me të drejtë vote i cili përkohësisht mungon në Kosovë mund të votojë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së”, saktësohet në Ligjin për Zgjedhje.

Edhe nga Zyra për media e Dhomave të Specializuara është konfirmuar për Albanian Post se ka “asistuar të paraburgosurit që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme”.

Angela Griep, Shefe e Dhomave për Informim dhe Komunikim me Publikun, përveç konfirmimit, ka refuzuar të jap më shumë detaje rreth procedurës së aplikimit.

Për arsye të privatësisë nuk mund të ofrojmë asnjë informacion mbi kërkesat specifike të paraburgosurve”, ka thënë Griep.

Veç shtatë të paraburgosurve në Hagë, janë edhe rreth 1400 të burgosur në Kosovë që kanë mundësi të votojnë.

Njëjtë si në zgjedhjet e kaluara, “votimit do të zhvillohet edhe në institucionet korrektuese”, tregon Nehat Thaci, drejtor i Shërbimit Korrektues në Kosovë.

Votimi, nëpër të gjitha qendrat korrektuese, bëhet në koordinim të SHKK-së dhe KQZ-së.

Janë 1467 persona të burgosur dhe të drejtë vote kanë të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, e të cilët posedojnë dokumente valide”, pohon Thaçi për Albanian Post.

Rreth 10 të burgosur janë të mitur nën moshën 18 vjeçare, ndërsa shtetas të huaj janë rreth 50 të burgosur”.

Thaçi nënvizon se deri me 14 shkurt “numri i të burgosurve mund të pësojë ndryshime”.

Kreu i SHKK-së ka shtuar se gjatë procesit të votimit do të respektohen rekomandimet dhe masat mbrojtëse anti-COVID të dala nga institucionet kompetente.

Gjatë procesit zgjedhor, në hyrje të vendvotimit do të bëhet matja e temperaturës të secilit person, do të respektohet distanca sociale, ndërsa secili vendvotim  do të pajiset edhe me material dezinfektues”.

Numri i të burgosurve që votojnë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë gjithmonë ka qenë shumë i lartë nëse përkthehet në përqindje.

Në zgjedhjet e kaluara, por edhe ato para tyre, kanë votuar përherë mbi 1000 persona./AlbanianPost

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore