Lajme

48 orë paraburgim për 13 personat e arrestuar nga aksioni “TOTO”


Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor për të njëjtit do të kërkojë nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit.

“Personat e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Prizren për të njëjtit, do të kërkoj nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit. Brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Prizren për të njëjtit do të kërkojë nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatë.

Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294, “Fajdeja” nga neni 331, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, “Sulmi” nga neni 184, “Detyrimi” nga neni 328 dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ilustrim.

Të mërkurën, 13 persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, fajde, detyrim” si dhe janë sekuestruar mbi 50 mijë euro.

Policia e Kosovës, përmes raportit ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50 në qytetet, Prizren, Malishevë, Suharekë dhe Prishtinë.

“Njësitë policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, me autorizim të Prokurorit të shtetit Prokuroria Themelore Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, të mbështetur  nga njësitë e specializuara policore kanë zbatuar urdhëresën e gjykatës dhe operacionin e koduar TOTO”, thuhej në raport.

Raporti sqaron se gjatë operacionit janë kontrolluar 19 lokacione vendbanime dhe lokale, ku disa prej të dyshuarve janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.

Siç bëhet e ditur në raport, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: para të gatshme 55.388 euro, 1.700 franga zvicerane, 50.000 lek, 100 dollar, 1.320 dinar serb, dy armë zjarri, 39 copë fishek, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura.

Policia ka raportuar se të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor pas një hetimi disa mujor me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës kanë realizuar një operacion të gjerë të koduar me emrin “TOTO”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore