Lajme

4.5 milionë euro kushtuan zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë


Ilustrim, hedhja e votës në kutinë e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur koston e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Sipas të dhënave të KQZ-së, këto zgjedhje i kushtuan buxhetit të Kosovës 4 milionë e 469 mijë e 764 euro.

“Planifikimet për koston e këtyre zgjedhje kanë qenë në shumën 5 milionë e 578 mijë e 712 euro”, tha Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së, në mbledhjen e mbajtur të hënën në këtë institucion.

Po ashtu, sipas raporteve të KQZ-së, këto zgjedhje kushtuan më pak se ato të vitit 2019, të cilat kishin kushtuar rreth 5.2 milion euro.

Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi thellë me rezultat 50.28 për qind të votave. E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 17 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.7 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.1 për qind dhe Lista Srpska me 5.09 për qind.

Bazuar në përqindjet e fituara, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 58 deputetë, nga 120 sa ka gjithsej parlamenti i Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës siguroi 19 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 vende, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë vende dhe Lista Serbe 10 vende që në fakt janë edhe 10 vendet e garantuara për komunitetin serb. 10 vende të tjera u takojnë partive politike të pakicave jo serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore