Lajme

38 të vdekur nga protestat në Myanmar


Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se tridhjetë e tetë persona u vranë në Myanmar të mërkurën e 3 marsit, pas një përpjekjeje të ushtrisë për të shuar protestat në disa qytete të vendit. OKB e quajti dhe si ditën më të përgjakshme që nga grushti i shtetit.

Christine Schraner Burgener, i dërguari i OKB-së për Myanmar-in, tha se kishte pamje tronditëse nga vendi.

Dëshmitarët treguan se forcat e sigurisë hapën zjarr me plumba gome dhe të vërtetë.

Protestuesit kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund sundimit ushtarak. Gjithashtu ata kërkojnë dhe lirimin e udhëheqësve të zgjedhur të qeverisë së vendit përfshirë Aung San Suu Kyi, të cilët u rrëzuan dhe u arrestuan në grusht shteti.

Britania e Madhe ka bërë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të premten, më 5 mars, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se po shqyrtojnë veprime të mëtejshme kundër ushtrisë së Myanmar-it.

Raportet nga brenda Myanmar-it tregonin që forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj turmave të mëdha të njerëzve në një numër qytetesh, përfshirë Yangon.

Dy djem, të moshës 14 dhe 17, dhe një vajzë 19-vjeçare qenë midis atyre që u vranë.

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se po vlerëson marrjen e disa masave politike, që do të ishin përgjigjja e duhur ndaj përshkallëzimit të situatës në Myanmar.

Departamenti tha se SHBA nuk do të bëjë asgjë që do t’i shkaktonte vuajtje popullit të Myanmar-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore