Lajme

3 ton kokainë dhe 11.3 milionë euro të sekuestruara


Policia holandeze ka sekuestruar tre ton kokainë dhe 11.3 milionë euro në një fermë pranë aeroportit Schiphol të Amsterdamit.

Sipas autoriteteve holandeze, kokaina kap vlerën e 195 milionë eurove, dhe mendohet se është një nga transportimet më të mëdha të drogës në vend deri më tani.

Oficerët bëjnë me dije se kanë konfiskuar gjashtë armë, silenciatorë dhe municione.

Gjithashtu, në ambientet e fermës janë sekuestruar sende luksoze të tilla si verëra të shtrenjta dhe një makinë antike.

Kur ndodhi bastisja?

Bastisja e policisë ndodhi të enjten e kaluar, kur oficerët e zbatimit të ligjit pikasën një pronë pranë fshatit De Kwakel, disa kilometra në jug të aeroportit të Schiphol-it.

Dy burra, të moshës 54-vjeçare dhe 29-vjeçare, u arrestuan nën dyshimin e përfshirjes në trafikun e drogës.

Ata u paraqitën para një gjykatësi hetues të hënën e 28 qershorit, dhe do të qëndrojnë në paraburgim për 14 ditë të tjera, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Holanda një portë hyrëse për drogën në Evropë

Sipas policisë,  kokaina “ka të ngjarë të jetë pjesë e një karteli droge të Amerikës së Jugut” dhe priten arrestime të mëtejshme.

Ajo është bërë një portë kryesore për drogën në Evropë, kryesisht përmes portit të saj ndërkombëtar të Roterdamit.

Në prill, Europol paralajmëroi se kontinenti po përmbytej me “sasi të papara” të kokainës.

Policia belge, holandeze dhe gjermane në shkurt sekuestroi 23 ton kokainë të destinuar për në Holandë, me vlerë miliarda euro, pas bastisjeve në Hamburg dhe Antwerp.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore