Kosova

2 javë nga barrikadimi i serbëve – KFOR-i do dialog, pushtetit po i humb durimi


Ilustrim

Nga 10 dhjetori serbët në Veri të Kosovës po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili po akuzohet nga institucionet e drejtësisë për akte terroriste.

Ndonëse barrikadimi i serbëve ka hyrë në javën e tretë të tij, zgjidhja e këtij ngërçi nuk duket në sfond.

Misioni i NATO-s në Kosovë KFOR, ka kërkuar që lirimi i rrugëve të bëhet përmes dialogut.

Megjithatë një kërkesë e tillë e ka indinjuar mjaftë shumë pushtetin, kjo pasi që sipas tyre KFOR-i në fillim kishte kërkuar disa ditë kohë për t’i larguar barrikadat ndërsa tani refuzon ta bëjë këtë.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka kërkuar që KFOR-it të përmbush misionin e tij, i cili është sigurimi lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Në të kundërtën një gjë të tillë, sipas Abrashit, do ta bëjë Policia e Kosovës.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura”, ka thënë Abrashi.

Të njëjtin mendim e ndan edhe kolegu i tij, Adnan Rrustemi.

“Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka shkruar Rrustemi në rrjetin e tij social në Facebook.

Se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitete për çbllokimin e rrugëve në Veri të Kosovës, kishte thënë edhe ministri i Brendshëm i Kosovë, Xhelal Sveçla.

“Policia e Kosovës ka edhe vullnetin, edhe guximin edhe logjistikën e nevojshme që këtë ta realizojë vetë, por për hir të një stabiliteti ne po presim ato të largohen qoftë nga ata që i kanë vendosur vetë qoftë nga KFOR-i, por edhe pritja e ka një fund”, kishte pohuar Sveçla.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Në anën tjetër situata e brishtë e sigurisë në terren po e pamundëson rifillimin e bisedimeve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesi i cili kishte hyrë në një fazë të re shumë më dinamike me propozimin franko-gjerman, apo siç u quajt më vonë si propozim i Bashkimi Evropian i mbështetur nga Gjermani e Franca, e të cilin Albanian Post e kishte publikuar pjesërisht me 18 shtator e tërësisht me 12 nëntor.

Pikërisht ky stagnim kishte sjellur në Prishtinë javë më parë të deleguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilët ishin takuar me krerët e institucioneve kosovare për të gjetur zgjidhjen optimale për zhbllokimin e situatës në Veri dhe rrjedhimisht fillimin e dialogut.

Megjithatë mënyra Escobar se si duhej të qasej në raport me barrikadat dallonte nga ajo e Lajçak.

Sipas top-diplomatit amerikan barrikadat në Veri të vendit duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato.

Në anën tjetër për Lajçak barrikadat në pjesën veriore të Kosovës duhet të largohen si rrjedhojë e një marrëveshjeje politike e jo me ekskavatorë.

Dy modalitete të ndryshme të ofruara nga Escobar e Lajçak për largimin e barrikadave, për ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në asnjë mënyrë nuk duhej lexuar si çakordim ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit.

Në esencë argumentonte më tej Arifi, Escobar e Lajçak, patën të njëjtën kërkesë, por mënyra e artikulimit ishte e ndryshme.

“ShBA-të dhe BE-ja janë në të njëjtin linjë, vetëm mënyrën e argumentimin e kanë thënë në dy kuptimsi, pra Escobar ka thënë që barrikadat duhet të heqin ata që kanë vendosur, kjo është një fakt, por Escobar ka theksuar edhe një fakt tjetër se duhet të dëgjohen kërkesat politike të serbëve, pra që është në sinkron me atë që ka thënë Lajçak që barrikadat nuk duhet të hiqen me dhunë, por me diplomaci”, kishte thënë Arifi për Albanian Post.

KFOR-i, të gjitha palëve: Shmanguni nga provokimet, kërkoni zgjidhje

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore