Lajme

180 mijë mërgimtarë në Kosovë për festat e fundvitit


Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Kosovë.

Për festat e fundvitit duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Kosovë, kanë fluturuar një mijë e 423 aeroplanë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara, ajo bëri të ditur se numri i mërgimtarëve që kanë udhëtuar në vend është 180 mijë.

“Nga data 1 deri 28 dhjetor kanë fluturuar 1 mijë e 423 aeroplanë me 180 mijë pasagjerë”, deklaroi Gara.

Ajo shton se, “deri në fund të 2021 presim të përmbyllim vitin me 2.1 milionë pasagjerë”.

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi ka apeluar tek diaspora që të vijnë të vaksinuar në Kosovë.

“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, të respektojmë në përpikmëri masat anti-COVID”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, i është arsyetuar atyre se shkaku i paraqitjes së varianteve të reja të COVID-19, do të duhen të kufizohen aktivitetet dhe organizimet në Kosovë.

“Edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet dhe grumbullimet”.

Ndryshe, ekonomia në Kosovë vazhdon të jetë e varur nga të ardhurat e diasporës. Ardhja e mërgatës në Kosovë ka kontribuar në rritjen ekonomike të saj për vitin 2021. Deri në fund të këtij viti rritja e konsumit do të jetë 7.1 për qind për dallim nga viti i kaluar që ishte 5.3 për qind.

“Brenda kësaj periudhe, në Kosovë janë dërguar 749.7 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 608.5 milionë euro”.

Nëse të dhënat krahasohen edhe më vitin 2019, shihet se ka pasur ngritje të të hyrave që mblidhen brenda vendit dhe në kufi.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit të vitit 2019 të hyrat tatimore në Kosovë kanë qenë në vlerë prej 239.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 totali i të hyrave kap vlerën e 290.3 milionë euro.

Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se ka pasur rritje të të hyrave. Derisa në periudhën janar-korrik 2019 të hyrat ishin 613 milionë euro, në periudhën e njëjtë të këtij viti të hyrat janë 740 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore