Lajme

127 kandidatë për 11 pozita, konkurrenca për zgjedhjen e Bordit të RTK-së


127 persona kanë aplikuar për 11 pozita si anëtarë bordi për Radio Televizionin e Kosovës. Tetë pozita do të emërohen nga kandidatë shqiptarë, dy nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera jo shumicë.

Listën e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për këto pozita i ka bërë publike, juristja e së drejtës së Medias, Flutura Kusari, në llogarinë e sajë në Facebook, të cilat i ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës.

“Këta janë emrat e kandidatëve për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, të siguruar nga Kuvendi i Kosovës, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike”.

Kusari potencon se do të monitoroj këtë proces, për shkak të rëndësisë dhe tendencës që emërimet të bëhen me preferenca politike.

“Monitorimi i këtij procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në këtë listë paska militantë dhe njerëz të ndërlidhur me gati të gjitha partitë politike, shpresoj që asnjeri nga ata nuk do të bëhet anëtar. Nëse bëhet, ne jemi këndej”, ka përfunduar Flutura Kusari.

Bordi i RTK-së u shkarkua më 8 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës. Shkarkimi i këtij bordi më pas ngjalli shumë reagime.

Opozita kundërshtoi fortë ndërsa deputetet e pozitës dhanë arsyet e shkakrimit. Një ndër arsyet ishte se anëtarët e Bordit Drejtues të RTK-së, në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë qasje Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në auditim të rregullësisë dhe performancës.

Thirrja për aplikim për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës ishte hapur më 19 korrik dhe ka zgjatur deri më dy gusht të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore