Lajme

Hoxhaj: Përkundër luftës në Gaza, Palestinën e njohën 4 shtete – Kosova qe 4 vjet pa njohje


Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet në katër vjet e fundit, derisa sipas tij, Palestina në gjendje lufte po arrin të sigurojë njohje të reja.

Ai ka theksuar se javën e kaluar Xhamajka, Barbados, Trinidad dhe Tobago njohën pavarësinë e Palestinës, ndërkaq këtë muaj Spanja, Irlanda dhe Sllovenia gjithashtu do ta njohin atë.

“Kjo tregon që, ajo, përkundër luftës në Gaza, e ka rikthyer momentumin e saj. Kosova pa asnjë njohje në katër vitet e fundit, përfundimisht e ka humbur momentumin ndërkombëtar të saj! Ky është çmimi që është duke paguar Kosova pa kurrfarë politike të jashtme”, shkroi Hoxhaj në Facebook.

Ndërkaq ministrja e Ponëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte theksuar se njohjet nuk janë çështja më e rëndësishme dhe është fokusuar në të tjera gjëra.

“Ka një kohë që s’kemi njohje të reja. Por, njohja në vetvete nuk është elementi kryesor që e përcakton suksesin e politikes së jashtë të Kosovës”, pohoi ajo.

“Jemi përqendruar fillimisht në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që veç i kemi njohjet formale, por s’kemi pasur shkëmbim dhe marrëdhëniet nuk kanë qenë të materializuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore