Lajme

Bakoyannis e cilëson “akt trimërie” propozimin për korrigjimin e kufijve: Kjo presupozon ekzistencën e dy shteteve


Dora Bakoyannis

Dora Bakoyannis, deputetja greke që hartoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në një artikull autorial të botuar në plaformën “European Western Balkans” të mërkurën, konsideroi se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mund të cilësohet si “akt trimërie” që u ndërmor nga liderët e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë.

Duke përsëritur se rekomandimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk adreson çështjen e shtetësisë së Kosovës, ish-kryediplomatja greke përmendi kohën kur liderët e Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç – propozuan të negocionin mbi një parim të ri, ku të dyja palët do t’i rishikonin kufijtë shtetëror përgjatë vijave etnike.

“Pavarësisht se negocimi rreth kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve – për çka e kundërshtoj – unë e kam konsideruar këtë akt trimërie nga Vuçiçi dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është kritik në politikë. Dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve të imagjinatës kombëtare”.

Sidoqoftë, ajo deklaroi se asnjë anëtari nuk i është kërkuar ndonjëherë që të përmbushë kaq shumë parakushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për debat mbi anëtarësimin në këtë organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, shkroi Bakoyannis pas sulmeve që erdhën nga zyrtarët serbë veç pse rekomandoi anëtarësimin e Kosovës.

Megjithatë, raportuesja greke kujtoi se raporti i kushtohet vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për të sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, derisa shtoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e shtetësisë së Kosovës, gjithmonë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në fakt, gjatë fjalës sime në seancë plenare, nënvizova se nëse do të kisha qenë e detyruar nga Komiteti i Ministrave – organi vendmmarrës – të shpreh mendimin tim për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në organizatë”, u shpreh Bakoyannis.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimmarrja finale është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet dikur në mes të muajit maj në Strasburg të Francës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore