Lajme

Zyrtarët e KQZ-së që s’u lejuan të punojnë nga zyrat në Veri, kanë kaluar online


Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Veri dhe dëmtimet që iu shkaktuan me 6 dhjetor.

Puna e zyrtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve po vazhdon të ushtrohet vetëm në distancë, pas të shtënave me armë zjarri dhe paralajmërimeve për vendosjen e bombave shpërthyese në pjesën veriore të Kosovës, të martën e 6 dhjetorit.

Për arsyeje të sigurisë, funksionimi i Komisionit po bëhet në forma të tjera, thotë në një bisedë për Albanian Post, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani.

“Aktualisht, prezent atje nuk është asnjë zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve i caktuar prej KQZ-së, as nga komisioni komunal i zgjedhjeve. Ata janë duke e vazhduar në mënyrë online, pra edhe përmes zyrave të Mitrovicës së Jugut”, thotë Elshani për AP.

Ai sqaron se angazhimi i tyre nuk mund të ndalet pa një vendim konkret nga institucionet kompetente.

“Ne kemi vazhduar me hedhjen e shortit sot dhe nesër zyrtarisht fillon fushata për subjekt politike. Deri sa nuk kemi një vlerësim përfundimtar, zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera të sigurisë dhe një dekret nga presidentja lidhur me çështjen e zgjedhjeve ne nuk mundemi me ndal angazhimin tonë dhe aktivitetin tonë”.

Ndërsa, shton se kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve nuk mund të bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Situata në Veri të martën e 6 dhjetorit.

Sipas Elshanit, para kësaj procedure duhet të bëhet një vlerësim i sigurisë.

“Ne nuk mund të bëjmë kërkesë për të shtyrë zgjedhjet. Në momentin që vlerësohet që nuk mund të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shprehja e vullnetit të lirë që është e garantuar me Kushtetutë për qytetarët e Mitrovicës, atëherë ajo kërkesë ai vlerësim i sigurisë i drejtohet Presidencës dhe presidentja duhet të marrë parasysh atë vlerësim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sigurisë”.

“KQZ-ja ka vetëm rol teknik dhe administrativ për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve”.

Situata e tensionuar në veri të vendit ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve në katër komuna atje dhe nga presidenca do të jenë gati ta shqyrtojnë shtyrjen, nëse vlerësohet kështu nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar për Albanian Post se “vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike”.

Ai tha se tashmë ekziston një praktikë dhe “Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”.

Kupina pohoi se “presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”.

Zgjedhjet për katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan janë caktuar për 18 dhe 25 dhjetor. Me 18 dhjetor ato për kryetarw komunash, ndërsa me 25 për Kuvendet Komunale.

Kjo situatë u krijua, pasi serbët e Kosovës, nën urdhrat e Listës Serbe, u tërhoqën nga institucionet në të gjitha nivelet, meqë kërkonin nga qeveria suspendimin e vendimit për masat për vozitësit me targa ilegale serbe.

Përfundimisht, vendimi u shty me ndërhyrjen e Brukselit, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Qeveria dhe presidenca nxituan me shpallje të zgjedhjeve, por siç u pa të martën e 6 dhjetorit, kapaciteti për të funksionuar në atë pjesë del të jetë jo i mjaftueshëm.

Të martën, policia bashkë me zyrtarët komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsej nga Veriu, pasi serbët në veri nuk i kanë të kenë qasje në zyra.

Pati edhe të shtyna armësh e shpërthime, por akoma askush nuk është arrestuar dhe zhytarët komunalë nuk kanë arritur të shkojnë në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore