Sport

Zyrtare: Napoli shkarkon Gattuson


Klubi i Napolit, e ka shkarkuar nga puna trajnerin e tyre Gennaro Gattuso.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i klubit, Aurelio De Laurentiis, i cili me një postim në twitter ka falënderuar ish-trajnerin për kontributin e dhënë në klub.

“I dashur Rino, jam i lumtur që kam kaluar gati dy sezone me ju . Duke ju falënderuar për punën tuaj, ju uroj suksese kudo që të shkoni . Një përqafim edhe për gruan dhe fëmijët tuaj. Aurelio De Laurentiis”, shkruan presidenti i klubit të Napolit.

Kështu Gattuso mbyll zyrtarisht aventurën e tij te Napoli, të cilën e filloi në dhjetor të vitit 2019, kur e zëvendësoi ish-trajnerin e tij te Milano, Carlo Anchelottin.

Zërat për largimin e Gattusos ishin folur prej kohësh, por barazimi në stadiumin “Diego Armando Maradona” 1:1 me Veronën që la Napolin zyrtarisht jashtë Ligës së Kampionëve, e vulosi shkarkimin e ish-futbollistit të Milanos.

Napolit i nevojitej vetëm një barazim përballë Veronës, për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por goli i Amir Rrahmanit nuk doli të jetë i vlefshëm, pasi që Verona barazoi rezultatin pak minuta më pas, për të zbritur skuadrën e Napolit në vendin e pestë në tabelë.

Ndërsa në Champions, u kualifikuan Inter, Milan, Juventus dhe Atalanta.

Gattuso në këto 18 muaj me Napolin arriti të fitonte Kupën e Italisë sezonin e kaluar teksa mposhti në finale Juventusin pas goditjes së penalltive ndërkohë që në kampionat regjistroi një vend të shtatë dhe këtë herë vendin e pestë.

Për Massimiliano Allegrin ishte folur shumë që do ta zëvendësojë Gattuson, mirëpo me mbetjen e Napolit jashtë Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm, janë zvogëluar edhe gjasat të marr ai drejtimin e të kaltërve.

Ndërsa me shumë mundësi, drejtimin e Napolit pritet ta marrë Luciano Spalletti, i cili është i papunë që nga shkarkimi i tij nga Interi në vitin 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore